Minatorët e Trepçës tash e dy muaj kanë ngelur pa rroga. Disa prej tyre po deklarojnë se fëmijët iu kanë mbetur pa bukë dhe se janë zhytur në borxhe. Mirëpo, kjo nuk po del të jetë shqetësim i Qeverisë. Qeveria në reagimin e fundit shqetësim të vetëm e ka pasur operimin me humbje. Qeveritarët duket se nuk kanë këso shqetësimesh ekzistenciale. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka të deklaruara veç 200 mijë euro kursime.
Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi të enjten paradite ka thënë se miniera e Trepçës është duke operuar me humbje. Ata kanë kërkuar nga kjo ndërmarrje publike që të ulin shpenzime dhe të rrisin prodhimet, shkruan Gazeta Insajderi.
Në njoftim thuhet se ulja e shpenzimeve dhe rritja e prodhimit është mënyra e vetme për “kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”.
“Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
“Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin”.
Ekzekutivi s’përmendi kurrkund datë se kur mund të ekzekutohen pagat e minatorëve të Trepçës.
Ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli, përgjegjëse direkte për minierat, për dallim nga minatorët që nuk po e marrin pagën që u takon tash e dy muaj, qëndron mirë financiarisht. Në deklarimin e fundit të pasurisë, Rizvanolli ka deklaruar 190 mijë euro para të gatshme, ndërsa në një tjetër, ajo ka deklaruar 5,186 euro.
Ndërsa bashkëshorti i saj ka deklaruar mbi 13 mijë euro para të gatshme.
Po ashtu, merr pagë vjetore si ministre merr 17,665 euro dhe 1,094 mëditje nga udhëtimet zyrtare.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, i ka reaguar Qeverisë së Kosovës lidhur me situatën e minatorëve. Nga Sindikata thanë se minatorët e kanë dëshmuar me punë dhe përkushtim obligimin që e kanë pasur
“Pra prodhimin sa më të lartë edhe pse ne pa kushtet elementare për punë siç është siguria në pune qe çdo here kemi qenë të rrezikuar”.
Tutje u tha se llogari duhet të japin menaxhmenti dhe bordi të cilët i ka emëruar Qeveria.
“Ata te cilët duhet te japin llogari ne vije te pare është menaxhmenti dhe bordi te cilët gjithmonë I ka emëruar Qeveria, pra aty është vendi ku duhet kërkuar përgjegjësia dhe llogaridhënia”.
Gazeta Insajderi raportoi dje se si Fadil Bejta dhe Alban Krasniqi ishin emëruar anëtarë të përzgjedhur për bordin mbikëqyrës të Trepçës. Që të dy, në të kaluarën kanë pasur lidhje me partinë në pushtet. Bejta kishte qenë donator i LVV’së në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa Krasniqi ishte ish-kandidat i VV’së për asamble komunale në Vushtrri.
Fadil Bejta ka shërbyer si ish-kryetar i bordit të Postës së Kosovës, i përzgjedhur nga Qeveria Kurti, deri në momentin e dhënies së dorëheqjes.
Në media ishte raportuar se arsyeja e dorëheqjes së tij ishte performanca e dobët në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës, ndonëse Bejta e kishte mohuar vetë këtë, duke thënë se ishte “lutur” për një pozitë më të mirë.
Bejta, që u emërua në bordin mbikëqyrës të Trepçës, ishte edhe donator i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet nacionale të vitit 2021. Në listën e donacioneve publike të LVV-së, emri i tij figuronte dy herë.
Ne emër të tij, dy ditë para zgjedhjeve nacionale në Kosovë, ishin dhënë 1 mijë euro. Po ashtu gjithashtu edhe një donacion prej 50 eurove të dhëna po atë vit.
Alban Krasniqi, përpara se të emërohej me mandat si anëtar i bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, shërbente si ushtrues detyre i anëtarit të po të njëjtit bord.
Krasniqi ishte ish-kandidat i VV’së për ansamble komunale të Vushtrrisë në zgjedhjet e 2017-ës.
Ai në fund të dhjetorit të vitit që shkoi u emërua njëherësh edhe ushtrues detyre i Sekretarit të Bordit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). /Insajderi.org/