Ministrja Rizvanolli: Subvencionimi i pajisjeve efikase nuk ka lidhje me ngritjen e ngarkesës në rrjetin energjetik - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministrja Rizvanolli: Subvencionimi i pajisjeve efikase nuk ka lidhje me ngritjen e ngarkesës në rrjetin energjetik

    Insajderi
    27 December 2024 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj keqkuptimeve të shfaqura në opinionin publik lidhur me subvencionimin e pajisjeve efikase energjetike dhe ndikimin e mundshëm të tij në ngarkesën e rrjetit energjetik të Kosovës.

    Ajo ka sqaruar se lidhja mes subvencionimit të pajisjeve dhe ngritjes së ngarkesës në rrjet është e pasaktë.

    Rizvanolli ka thënë se kur janë dizajnuar skemat e subvencionimit, janë marrë parasysh të gjitha detajet teknike dhe nevojat e konsumatorëve, përfshirë ata që përdorin kalda joefikase për ngrohje dhe që nuk kanë mundësi të tjera energjetike.

    “Ka pasë keqinformim. Nuk po them nga mediat, por në opinionin publik. Sigurisht që kur janë dizajnuar skemat e subvenciomit është menduar çdo detaj, prandaj që ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet efiçiente përveçse nëse jeni konsumator që është duke u ngrohur me energji elektrike me kalda, me pajisje jo efiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër, nëse i shihni kriteret e skemës, këto kanë qenë kriteret e skemës.”, tha ajo pas takimit me përfaqësues të KOSST dhe KEDS.

    Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se përfituesit e këtyre skemave kanë arritur të kursejnë rreth 19% më shumë energji në krahasim me vitin paraprak, duke treguar përfitimet e këtyre investimeve për qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi.

    Në lidhje me rritjen e numrit të konsumatorëve të rinj, ministrja tha se është regjistruar një rritje e konsiderueshme në numrin e amvisërive dhe bizneseve të cilat janë kyçur në sistemin energjetik gjatë viteve të fundit.

    Sipas saj, kjo rritje nuk ka lidhje me subvencionimin e pajisjeve efikase dhe ngarkesën e rrjetit, duke e quajtur këtë një keqkuptim.

    Ajo potencoi se subvencionimi i pajisjeve është bërë për të mbështetur familjet që kanë përdorur energji elektrike si opsion të vetëm për ngrohje dhe se kjo ka qenë një mundësi për t’iu ofruar pajisje më të lira dhe më efikase për kursimin e energjisë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark