
Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka marrë pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik me temën “Dialog për rrugën e mëndafshtë”, ku pjesëmarrës ishin liderë të vendeve të ndryshme nga dy kontinentet.
Në fjalën e saj, Tahiri ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset paqësore, duke thënë se kapacitetet do të rriteshin për 50 për qind sikur të ketë vendosmëri për heqjen e barrierave për fuqizimin e grave.
“Na duhet kapitali njerëzor i tërësishëm andaj nuk guxojmë t’i injorojmë gratë dhe fuqinë e tyre. Gratë janë një kapital njerëzor strategjik dhe shekulli në të cilin jemi kërkon që këtë kapital ta investojmë për zhvillim dhe demokratizim të shteteve dhe shoqërive tona”, ka thënë Tahiri.
Kjo konferencë u organizua nga Fondacioni prestigjioz i Turqisë Marmara Group, dhe filloi me 5 prill e përfundoi sot.
Gjatë punimeve të Samitit, ministrja Tahiri ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me pjesëmarrës të konferencës ku theksi i bisedave u fokusua në njohjen e shtetit të Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve me vende të ndryshme./Insajderi.com