
Klubi spanjoll Elche CF, që ndodhet në krye të tabelës së kategorisë së dytë dhe është në prag të rikthimit në La Liga, është përballur me një problem të pazakontë në stadiumin e tij, “Martínez Valero”, me kapacitet 34,000 vende.
Së fundmi, në stadium është raportuar një infestim me minj dhe brejtës, për të cilin janë “fajësuar” farat e lulediellit, të konsumuara masivisht nga tifozët gjatë ndeshjeve. Klubi njoftoi se farat jo vetëm tërheqin brejtës, por kanë bllokuar edhe kanalet dhe tubacionet e stadiumit.
Në një deklaratë zyrtare, Elche ndaloi shitjen dhe konsumimin e farave të lulediellit në të gjithë stadiumin, duke filluar nga ndeshja kundër Levantes.
Pas 37 javësh, Elche kryeson renditjen me 68 pikë, e ndjekur nga Levante dhe Racing Santander me nga 66 pikë. Dy vendet e para sigurojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë në La Liga.