Analisti Ilir Mirena ka thënë se përjashtimi nga stërvitja më e rëndësishme ushtarake “Defender 23” ndodhi për shkak të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Mirena këtë e ka deklaruar në ‘Facebook’, pas njoftimit nga vetë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për sanksionin e parë për shkak të mos-koordinimit të veprimeve të Kurtit me shtetin aleat, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai ka pyetur se pse Serbia po përfiton nga politikat e kryeministrit Kurti.
“Eshte mire me fillu kjo shoqni me e pyet veten se kush po perfiton me se shumti nga veprimet anti shtetorore te Albin Kurtit, dhe pse bash Serbia? Dhe heren tjeter me e votu me 85 perqind, deri te zhbajme krejt kete shtet…”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Mirena tutje ka përkujtuar edhe kundërshtimin e Kurtit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë nga pala kosovare.
“Mos te harrojme, Albin Kurti ka qene kunder secilit projekt i cili e ka shty perpara çeshtjen e shtetesise se Kosoves, prej Rambujese e tutje. Pse te jete ndryshe tashti?”, ka thënë ndër të tjera ai. /Insajderi.org/