
Ish-deputeti, Mirsad Shkreta, para disa muajsh është emëruar drejtor i Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës. Ai ishte kandidati i vetëm që kaloi testin me shkrim për këtë pozitë. Shkreta ka qenë më parë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe kryetar i degës së kësaj partie partie në komunën e Hanit të Elezit, shkruan Insajderi.
Megjithatë, pas emërimit në një pozitë të lartë publike, duket se ai nuk është shkëputur plotësisht nga aktiviteti partiak.
Në një postim të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Han të Elezit, Shkreta shihet i pranishëm në një takim të kësaj dege.
“Në një takim konsultativ me Kryesinë, tema kryesore e diskutimit dhe analizës ishin parapërgatitjet për zgjedhjet lokale. Gjatë këtij takimi u bë një shqyrtim i hollësishëm i listës së kandidatëve për Asamblenë Komunale, si dhe u diskutua mbi kandidatin tonë të propozuar për kryetar komune. Me përkushtim, vullnet dhe entuziazëm të plotë, po hyjmë në zgjedhjet lokale si një subjekt politik me vizion të qartë dhe program progresiv për të ardhmen e komunës sonë”, thuhet në postim.
Po ashtu në një postim tjetër kolegët e LVV-së, edhe i kishin shkuar në zyre ish-deputetit Shkreta që të ia bëjnë ‘perhajr’ pozitën e re, shkruan Insajderi.
“Kryesia e degës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Han të Elezit vizitoi drejtorin e ri të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, z. Mirsad Shkreta duke i uruar suksese në detyrën e re me përgjegjësi të lartë dhe rëndësi jetike për sistemin shëndetësor të vendit tonë. Gjatë takimit, u vlerësua puna dhe përkushtimi i deritanishëm i tij si doktor, deputet, kryetar e tani si drejtor, si dhe u shpreh mbështetja për avancimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, profesionalizmit dhe efikasitetit brenda institucionit shëndetésor”, thuhet në postimin e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Hani i Elezit.
Çfarë thotë ligji?
Ligji për Shërbyesit Civilë të Kosovës (Nr. 06/L-114): Neni 19: Shërbyesit civilë kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike, por nuk guxojnë të shfaqin përkatësinë e tyre politike në vendin e punës
Nuk mund të përdorin asnjë burim shtetëror apo të institucionit publik për aktivitete politike; • Nuk mund të ndikojnë te stafi apo pacientët për qëllime politike.
Në rastin konkret, përfaqësues të një partie politike kanë zhvilluar takim me të brenda zyrës së tij zyrtare, dhe nga aty kanë shpërndarë një postim partiak.
Po ashtu Kodi i Mirësjelljes për Shërbyesit Publikë kërkon neutralitet politik gjatë përmbushjes së detyrave zyrtare: Veprimtaria politike nuk duhet të dëmtojë besueshmërinë e institucionit publik.
Si erdhi Mirsad Shkreta në krye të QSKUK-së?
Mirsad Shkreta ishte Deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e fundit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai kandidoi për Deputet edhe në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por nuk mori vota mjaftueshëm për të qenë pjesë e Kuvendit.
Shkreta ishte emëruar anëtar i Bordit të SHSKUK-së në vitin 2020.
Shkreta i VV’së doli i pari në testin me shkrim për drejtor të QSKUK’së, kryetar i komisionit rezulton të jetë miku i tij me pozitë të pezulluar
Kandidati i vetëm që kishte kaluar testin me shkrim në mars të këtij viti për pozitën e drejtorit të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK) ishte Mirsad Shkreta.
Sipas rezultateve të publikuara, Shkreta ka kaluar testin me 65.5 pikë.
Në media ishte raportuar se kryesues i komisionit për përzgjedhjen e drejtorit të QKSUK-së, ku Shkreta ishte kandidati i vetëm që kaloi testin me shkrim, është Ardian Shefkiu.
Shefkiu është një mik i afërt i Shkretës dhe njëherësh përkrahës i hapur i Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo vërehet nga disa postime të tij në rrjetin social Facebook, ku ai e ka mbështetur publikisht Shkretën si kandidat për deputet nga radhët e LVV-së.
Shefkiu më parë ka mbajtur pozitën e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve. Pas kësaj, ai është emëruar ushtrues detyre i drejtorit shëndetësor të SHSKUK-së. Kjo pozitë u krijua si pjesë e Rregullores së re për Sistematizimin e vendeve të punës në SHSKUK, por kjo rregullore është pezulluar nga Gjykata Themelore pas padisë së disa punëtorëve të institucionit.
Me pezullimin e rregullores, bie edhe pozita e Shefkiut si drejtor shëndetësor, duke krijuar një situatë të paqartë mbi statusin e tij brenda SHSKUK-së. Përkundër pezullimit, a ishte emëruar si kryesues i komisionit për konkursin për drejtorin e QKSUK-së, duke ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e tij në këtë proces.