“Ajo është shumë e re dhe shumë e rëndësishme për t’u pensionuar, sipas mendimit tim, sidomos me çfarë po ndodh politikisht nëpër botë momentalisht”.
Një deklaratë e tillë është dhënë nga drejtori i programit Montgomery Fellows, Klaus Milich, duke iu referuar presidentes së 4-të të Kosovës, Atifete Jahaga, e cila gjatë verës do të qëndrojë në Universitetin e Dartmouth do të jetë e angazhuar në dy aspekte.
“Ajo do të jetë shumë e përfshirë me komunitetin e Dartmouth gjatë kohës sa do të qëndrojë këtu”, thotë Milich.
Jahjaga do të vizitojë klasat, do të takojë studentët, do të takohet me stafin e fakultetit.
“ Ajo me të vërtetë dëshiron të përfshihet”, ka thënë Milich.
Por përfshirja e Jahagës në këtë program do të jetë më shumë se kaq.
“Qëndrimi i Jahjagës në Dartmouth do të jetë një mundësi që ajo të reflektojë për presidencën e saj dhe të planifikojë të ardhme”, shkruhet në faqen zyrtare të Universitetit.
“Nuk ndodhë çdo ditë që studentët të jenë të përfshirë me një ish kryetare shteti. Por kjo është ajo çfarë Universiteti Darthmouth ofron për studentët gjatë kësaj vere, pasi ish presidentja e Kosovës do të jetë në një rezidencë si pjesë e programit Montgomery Fellowship”, thuhet në sajtin e universitetit amerikan.
Të enjten, më 14 korrik, Jahjaga do të japë një ligjëratë publike për “Fuqizimin e Grave – Lidershipin e Grave” në orën 16:30 në Moore Theater në Hopkins Center. Gjithashtu, thotë Milich, evente formale dhe joformale do të caktohen përgjatë dy muajve të qëndrimit të saj.
Programi, i cili fton individë në kampusin e Universitetit të Dartmouth të jetojnë, punojnë dhe të ndajnë përvojat e tyre me komunitetin, është krijuar në vitin 1977, si dhuratë nga Kenneth dhe Harle Montgomery.
“Qëllimi i Programit është të ju japë studentëve mundësi të njoftohen me persona si Presidentja Jahjaga, të cilët kanë përvoja reale – në mënyrë që të shohin se si teoritë lidhen me politikat ditore”, thotë Milich.
Kjo është vizita e dytë e Jahjagës në Dartmouth. Në vitin 2012 ajo mbajti një fjalim dhe nderoi ish dekanin dhe mjekun James Strickler, me Medaljen Humanitare të Nënës Terezë për përpjekjet e tij për të implementuar program mjekësore në Ballkan.
Atifete Jahjaga, e cila përfundoi mandatin e saj si presidente e Kosovës në muajin prill, ishte presidentja e parë femër e Kosovës dhe një nga krerët më të ri në moshë në mbarë botën, kur filloi mandatin në vitin 2011, në moshën 36 vjeçare, por qysh prej se e la zyrën e presidencës nuk është deklaruar për pozicionin e saj të ardhshëm në skenën politike.
Madje nuk ka dhënë asnjë intervistë për asnjë nga mediat vendore ose ndërkombëtare.
Universiteti i Dortmouth e cilëson Jahjagën si ndërtuese të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe presidente që “ka ngritur zërin për fuqizimin e gruas, ka qenë pjesë e luftës kundër terrorizmit dhe ka avokuar për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”.
Zyra e ish-presidentes ka thënë se qëndrimi i Jahgahës në këtë rezidencë është i përqendruar tek ndjekja e programit dhe angazhimi sa më i madh në Universitet./Insajderi.com