Operacionet e kërkimit për gjetjen e tre turistëve të zhdukur në dy ishuj grekë janë intensifikuar pasi policia njoftoi se dy pushues ishin gjetur të vdekur në ishuj të tjerë gjatë fundjavës.
Ekipet e shpëtimit të mbështetur nga qen snifer, helikopterë dhe dronë kanë kërkuar në ishujt cikladikë të Sikinos dhe Amorgos për dy gra franceze dhe një burrë amerikan që u zhdukën javën e kaluar.
Duke e përshkruar përpjekjen e kërkimit si “të pamëshirshme”, kryebashkiaku i Sikinos, Vassilis Marakis, tha se shërbimet e urgjencës e kishin kaluar të hënën duke u fokusuar në terrenin shkëmbor në të cilin dy alpinistet femra mund të kenë humbur.
“Ne kemi qenë jashtë gjatë gjithë mëngjesit për të kërkuar,” tha Marakis. “Vullnetarët kanë mbërritur nga Santorini, zjarrfikësit, policia, një qen i trajnuar posaçërisht kanë kërkuar të gjithë, por terreni është shkëmbor dhe plot lugina. Përpjekja ka qenë e madhe, por zona ku ata u zhdukën është e vështirë dhe, për fat të keq, ne ende nuk i kemi gjetur”.
Në harkun e nëntë ditëve, gjashtë pushues, përfshirë prezantuesin televiziv britanik dhe nutricionistin Michael Mosley, ose kanë gjetur vdekjen ose janë zhdukur në ishujt grekë.
Mosley, 67 vjeç, mendohet se ka vdekur brenda disa orësh pasi doli për një shëtitje gjatë së cilës mori një kthesë të gabuar dhe përfundoi duke u ngjitur në një gadishull shkëmbor në Symi, një ishull tjetër i largët në Egje.
Të shtunën, ekipet greke të kërkimit njoftuan se trupi i një holandezi 74-vjeçar, i zhdukur për gati një javë, ishte gjetur nga një dron i shërbimit zjarrfikës në një grykë në ishullin lindor të Egjeut, Samos, afër bregdetit turk. Ai gjithashtu kishte dalë në një shëtitje në mot të nxehtë.
Disa orë më vonë, të dielën, policia njoftoi se një turist amerikan 70-vjeçar, i cili ishte zhdukur që nga e enjtja në ishullin Mathraki, në perëndim të Korfuzit, ishte gjetur i vdekur në një plazh të largët.
Në Amorgos, ishulli më lindor në zinxhirin e Cyclades, kërkimi për një oficer policie në pension të Los Anxhelosit, Albert Calibet, vazhdoi për të gjashtën ditë të hënën, pa sukses.
Ish-sherifi 59-vjeçar, një vizitor i rregullt në Amorgos, u zhduk pasi u nis i vetëm për një ecje katër-orëshe në një ditë kur temperaturat arritën në 40 gradë Celsius.
Kryebashkiaku i Sikinos tha se dy turistët francezë, të moshës 73 dhe 64 vjeç, kishin nisur një shëtitje kur ishulli i Egjeut po përjetonte një periudhë të motit “jashtëzakonisht të nxehtë” të qershorit.
“Ishte jashtëzakonisht nxehtë të premten, ditën kur ata u zhdukën,” tha ai. “Ne kishim dëgjuar për incidente të tilla që po ndodhnin në ishuj të tjerë dhe tani ka ndodhur këtu. Dje, ne kishim edhe një varkë të rojes bregdetare që patrullonte bregdetin e ishullit tonë. Nuk e fsheh që jam shumë i shqetësuar.”