Mario Mitaj doli sot në konferencën për shtypin para ndeshjes Shqipëri-Kroaci – të mërkurën (15:00) në Hamburg – dueli i dytë i kuqezinjve në grupin B të Euro 2024.
Mitaj zgjodhi heroin e tij në ndeshjen vendimtare ndaj Kroacisë.
“Besoj se në përgjithësi të gjithë ne mund të luftojmë për të luajtur sa më mirë me Kombëtaren. Kemi lojtarë si Broja me cilësitë e tij dhe Asani me goditjet e tij. Të luajmë sa më mirë dhe ta çojmë Kombëtaren sa më lart. Mendoj se Broja mund të jetë lojtari që mund t’u bëjë dëm kroatëve”, tha ai fillimisht.
Tutje, ai komentoi edhe kundërshtarin e radhës, Kroacinë, duke thënë fjalët më të mira për të.
“Ky është grupi i vdekjes, të gjithë kundërshtarët janë të fortë. Kroacia mund të marrë edhe vendin e parë. Të përgatitemi, të analizojmë kundërshtarin dhe të japim më të mirën në fushë. I dimë cilësitë e Kroacisë, e dimë sa skuadër e fortë janë. Sot do t’i analizojmë më shumë taktikisht dhe si do të futemi ne në fushë. Kroacia të gjithë repartet i ka të forta, por besoj se mbrojtjen kanë pikën më të fortë”, shtoi ai.
Mitaj bëri me dije se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe se po e shfrytëzojnë mundësinë dhe po e shijojnë Europianin.
Pas ndeshjes me Kroacinë, Shqipëria luan edhe ndeshjen e tretë dhe përmbyllëse të grupit ndaj Spanjës më 24 qershor.