
Një personi të cilit i kanë humbur 450 euro në Mitrovicë ka shpresë që t’i kthehen të hollat, pasi një qytetar që i ka gjetur ka vendosur që t’i dorëzojë ato në stacionin policor.
“Bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet zyrtarëve policorë në sektor dhe qytetarëve, gjithnjë po reflekton në besueshmëri të ndërsjellë e të qëndrueshme. Një shembull i mirë është demonstruar sot në Mitrovicë, ku një qytetar gjen para në vlerë 450 euro dhe të njëjtat i dorëzon në Polici,” njofton Policia e Kosovës.
Qytetari shumën e parave të gjetura e ka dorëzuar sot në orët e paradites në stacionin policor ‘jugu’ në Mitrovicë ndërsa policia ka nisur procedurat për verifikimin e personit të cilit i përkasin të hollat.