×
Analiza

Mjekët konstatuan që Sevdije Kukleci humbi jetën nga Covid-19, ndërsa autopsia jo – shteti ende pa raport për përgjegjësit

Insajderi
03 October 2020 - 17:51
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Xheneta Uka

Janë bërë rreth gjashtë muaj dhe Inspektorati i Shëndetësor i Kosovës ende nuk e ka përfunduar raportin mbi hetimin e vdekjes së Sevdije Kukleci.

Për të njëjtën fillimisht u tha se vdiq nga Koronavirusi, por më pas u konstatua se ajo ka ndërruar jetë nga faktorë të tjerë.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ISh ka informuar se lënda është ende e papërfunduar dhe në momentin e përfundimit dhe protokollimit do të ju pergjigjen”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Shëndetësor për Gazetën Insajderin.

Prokurorja e rastit, Valbona Haxhosja, ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje edhe përkundër insistimit të tyre.

“Nuk më kanë kthyer përgjigjie edhe pse i kam telefonuar disa herë, më kanë thënë se janë në përfundim dhe se një herë duhet ta dërgojnë në Odën e  Mjekëve dhe pastaj tek ne. Prokuroria Themelore e Pejës ka ndërmarr veprime hetimore lidhur me këtë çështje, dhe tani jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësor i Kosovës në Prishtinë”, ka thënë Haxhojsa për Insajderin.

39 vjecare nga fshati Lluga i Istogut kishte ndërruar jetë më 13 prill të këtij viti në Qendra Klinike Universitare të Kosovës.

Vdekja e 39 vjeçares kishte ardhur nga Sepsa, ndonëse në raportin e vdekjes të lëshuar nga Klinika Infektive thuhej se ajo kishte vdekur nga Koronavirusi.

Se vdekja e Sevdije Kukleci nuk erdha nga koronavirusi e dëshmoi edhe raporti i Mjekësisë Ligjore, të cilën e kishte kërkuar familja e Sevdijes.

“Sëmundja apo gjendja e drejtpërdrejtë që e ka shkaktuar vdekjen – SEPSA. Gjendja e cila ka sjellë deri te shkaktari i vdekjes – PERITONITI FIBRINOZ PURULENT. Shkaktari kryesor i vdekjes – PERFORIMI I ULCERËS DEODENALE”, thuhej në raportin e obduksionit.

Hetimi që “s’po kryhet”

Organet e Drejtësisë kishin filluar hetimet rreth vdekjes së 39 vjeçares nga Istogu.

Rasti fillimisht kishte nisur të hetohet nga Prokuroria Themelore e Pejës, por që pastaj ishte përcjellë në Prokurorinë Themelore të Prishtinë.

Hetimet e para kishin nisur ndaj stafit mjekësor të Spitalit Rajonal të Pejës, për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Këtë e kishte konfirmuar në një prononcim për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Prokurorja e rastit e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të stafit të Spitalit Rajonal të Pejës për veprën penale ‘Trajtim i Pandërgjegjshëm Mjekësor’”, kishte thënë Nikçi për Insajderin.

Nga Prokuroria e Prishtinës hetimet mbi vdekjen e Kuklecit ishin deleguar përsëri nëProkurori e Pejës.

Shërbimi Klinik Universitarëi Kosovës ka thënë se tërë dokumentacioni mjekësor lidhur me rastin e 39 vjecarë është marrë nga organet kompetente.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës(ShSKUK) ju njofton se rasti në fjalë siç edhe jeni të informuar është duke u hetuar nga organet kompetente. I tërë dukumentacionin  mjekësor është kërkuar dhe është marrë nga organet që ju cekëm më lartë. Rasti ishte transferuar në Klinikën Infektive, pasi kishte rezultuar pozitiv në testin për Covid-19”.

Gazeta Insajderi ka siguruar raportin e vdekjes nga Covid-19 të 39 vjeçares të lëshuar nga Klinika Infektive, i cili thotë se Kukleci kishte vdekur nga Koronavorusi në Klinikën Infektive.

No description available.
No description available.

Gazeta Insajderi e ka kontaktuar drejtoreshën e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha për ta pyetur nëse është marrë në pyetje nga Prokuria për rastin e Sevdije Kukleci.

Drejtoresha e Klinëse Infektive nuk ka dashur të deklarohet për detaje, ndonëse nuk e ka mohuar as pohuar se a është marrë në pyetje nga prokuroria në lidhje me rastin e vdekjes së 39 vjeçares.

“Nuk kam koment për këtë cështje, janë organet e drejtësisë që po merren me rastin”, ka thënë Ajazaj-Berisha për Insajderin.

Në pyetje nuk është marr as shefi i repartit, Shemsedin Dreshja.Ai shkurt për Insajderin ka thënë se nuk është thirrur asnjëherë për të dëshmuar.

Gazeta ka kontakuar edhe dy nga infektologët e Klinikës Infektive që kanë qenë pjesë e ekipit kujdestar.

Nderim Hasani ka thënë se nuk është ftuar të merret në pyetje nga Prokuroria.

“Nuk jam ftuar deri tani sepse une kam qenë vetëm ekpi kujdestar”, ka thënë shkurt Hasani.

Të njëjtë përgjigje e ka dhënë edhe infektlogou, Veli Rexha që ishte pjesë e ekipit kujdestar.

Ndërkohë, Fatime Salihu, motra e së ndjerës, në një prononcim për Insajderi ka thënë se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigjie nga Prokurori.

Sipas Salihut, prokurorja e rastit vetëm e kishte njoftuar se janë kryer të gjitha hetimet dhe intervistimet dhe se rasti është kthyer për hetim përsëri në Prokurorinë Themelore të Pejës./Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark