Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani e ka vlerësuar si shumë të suksesshme Javën e Shëndetësisë Kosovaro-Turke e cila dje përfundoi zyrtarisht në Prishtinë.
Sipas Rrahmanit mjekët gjatë këtyre ditëve kanë kryer operacione të ndërlikuara në mënyrë profesionale.
‘’Gjatë kësaj jave, ekipet e kombinuara të specialistëve të lëmive të ndryshme mjekësore nga Turqia e Kosova, kanë kryer 122 operacione, kryesisht raste të komplikuara, 23 koronarografi dhe mbi 600 ekzaminime, kontrollime dhe konsultime profesionale shëndetësore”, shkruan Rrahmani në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas tij, në përfundim të kësaj jave, autoritetet shëndetësore të dy vendeve janë zotuar se kjo traditë e bashkëpunimit midis dy shteteve do të vazhdojë edhe viteve në vijim, njofton Insajderi.
‘’Në ndërkohë, ekipe të mjekëve nga Kosova do ndjekim programe të ndryshme të edukimit të vazhduar profesional në spitale të ndryshme të Turqisë, në kuadër të bashkëpunimit midis dy shteteve bë shëndetësi”, ka thënë ministri Rrahmani.
Kjo nuk është hera e parë që mjekët nga Turqia vijnë për disa ditë për të kryer operime në Kosovë. /Insajderi.com