Mjeku shqiptar Erion Dasho ka kërkuar që të ndërpritet vaksinimi në Shqipëri me vaksinën kineze kundër COVID-19, CoronaVac, pas vdekjes së dy personave që kanë marrë këtë vaksinë, raporton “A2news”.
Dasho me një postim në Facebook i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me këtë çështje.
“Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac derisa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë. Kjo thirrje nuk ka aspak për qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjeshtë është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakoviligjencës. Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm. Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht”, ka shkruar Dasho në Facebook.