
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i zhytur në afera korruptive e cak i kritikave për qeverisje të dobët lokale, po tenton ta lartësojë figurën e tij. Rama ka tentuar ta paraqes mediumin ‘Washington Reporter’ si medium prestigjioz botëror, pronari i së cilës, Jacob Wohl, është dënuar për mashtrim dhe përshkruhet si “konspiracionist” e i djathtë ekstrem.
“Mirëmëngjesi nga Prishtina, e titujve në mediet prestigjioze botërore. Sepse ky është vizioni im për kryeqytetin, si pjesë e politikave progresive botërore, jo arenë e mendësisë bllokuese. Sepse qytetarët e Prishtinës janë qytetarë të botës“, thuhet në postimin e Ramës në ‘Facebook’, ku prezanton një opinion editorial të tijin në mediumin ‘Washington Reporter’, shkruan Gazeta Insajderi.
Siç duket, Rama ka gënjyer qytetarët e Prishtinës për kredibilitetin e mediumit, për ta ngritur figurën e tij sa më lart. Ky medium kategorizohet si i ekstremit të djathtë, bazohet në propagandë dhe vlerësohet si i dyshimtë për raportim faktik, sipas platformës Media Bias/Fact Check.
Megjithatë, e keqja s’mbaron me kaq. Pronari i këtij blogu, Jacob Wohl, është i dënuar për mashtrim bashkë me partnerin e tij në biznes, Jack Burman. Siç raporton Politico, më 2022-ën të dytë u dënuan për mashtrim të rëndë në fushën e telekomunikacionit, pasi drejtuan një fushatë thirrjesh automatike në lagjet kryesisht me ngjyrë në disa shtete, duke u thënë atyre të mos votonin me postë. Një gjyqtar i Ohajos urdhëroi që ata të kalonin 500 orë duke regjistruar njerëzit për të votuar, dhe Komisioni Federal i Komunikimeve i gjobiti ata me pesë milionë dollarë.
Siç evidenton më tej ky medium, gjatë vitit 2020 Wohl dhe Burman punësuan aktorë për të organizuar një bastisje të rreme nga ana e FBI në shtëpinë e Burkman. Të dy mashtruan gazetën ‘The Washington Post’ që ta shkruante incidentin e rremë.
Një vit më parë, Wohl u akuzua në Kaliforni për shitjen e një letre me vlerë të paregjistruar. Ai u deklarua fajtor për katër akuza për krime dhe u dënua me dy vjet lirim me kusht, sipas të dhënave të gjykatës në Qarkun Riverside.
Wohl dhe Burkman tërhoqën vëmendjen disa vite më parë duke u përpjekur të fajësonin figura të shumta publike, përfshirë ish-Këshilltarin Special Robert Mueller dhe ish-Sekretarin e Transportit Pete Buttigieg, për sulme seksuale. Ata kryen fushata të tjera shpifjesh, përfshirë punësimin e një gruaje për të thënë se Anthony Fauci e kishte sulmuar atë.
Ndër teoritë konspirative që Wohl ka shtyrë përpara përfshijnë thënien në vitin 2020 se Biden kishte rezultuar pozitiv për Covid dhe do të vdiste brenda 30 ditësh, se Senatorja Elizabeth Warren (D-Mass.) kishte lidhje dashurie me një ish-marins dhe se ish-zv. presidentja Kamala Harris nuk ishte e kualifikuar për të kandiduar për presidente në ciklin e vitit 2020.
Çka thuhet në opinionin editorial të Ramës, të botuar tek mediumi i mashtruesit?
Përparim Rama në prag të mbledhjes jubilare të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) mban “ders” për qeverisje të mirë lokale. Aty përmend gjelbërimin dhe menaxhimin e mbeturinave, probleme këto që kanë karakterizuar kryeqytetin për katër vite.
“Prishtina, si shumë qendra urbane, po investon në transport të qëndrueshëm, energji të pastër dhe hapësira të gjelbra publike. Projekte të tilla si zgjerimi i bulevardeve miqësore për këmbësorët, mbjellja e mijëra pemëve dhe modernizimi i menaxhimit të mbeturinave tregojnë se si zhvillimi nuk është një premtim abstrakt, por një realitet i dukshëm i përditshëm“, thuhet ndër të tjera në shkrimin editorial të Ramës.
Rama po ashtu flet edhe për ajrin e pastër, teksa Prishtina përgjatë stinës së dimrit vazhdon të radhitet në mesin e shteteve më të ndotura në botë. Ajo çfarë është më qesharake, Rama flet edhe për zvogëlim korrupsioni, teksa kontrata për Arkitektin e Kryeqytetit në vlerë prej 12 milionë euro po hetohet nga Prokuroria Speciale.
“Kur një komunë siguron autobusë të sigurt për studentët, ajër të pastër për fëmijët ose qasje në shërbime dixhitale për të moshuarit, ajo po mbron të drejtat më themelore të njeriut. Po kështu, kur korrupsioni i bllokon qytetarët nga qasja e drejtë në këto shërbime, të drejtat zvogëlohen“, thuhet në shkrimin e tij.
“Si kryetarë komunash, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë. Nga Prishtina në Nju Jork, nga qytetet e vogla në kryeqytetet e mëdha, qytetet janë laboratorët e gjallë të paqes, zhvillimit dhe të drejtave. OKB duhet ta përqafojë këtë realitet. Sepse “më mirë së bashku” nuk është vetëm një slogan për udhëheqësit globalë, është një e vërtetë e jetuar në çdo rrugë ku qytetarët mblidhen, lidhen dhe ndërtojnë një të ardhme të përbashkët”, vijon ndër të tjera Rama.