Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë vendimin për njohjen e të drejtës së mbështetjes së përhershme financiare trajnerit të xhudos, Driton Kuka, i cili do të përfitojë nga 800 euro në muaj, duke filluar nga data 1 tetor e këtij viti.
Vendimi i ministrit Kujtim Shala, vjen pas rekomandimit të Komitetit Olimpik të Kosovës për trajnerin Kuka i cili i ka përmbushur kushtet e parapara për të qenë përfitues i vlerës së 800 eurove në muaj.
“Arsyeshmëria për këtë përkrahje bazohet në rregulloren për mbështetje e përhershme të sportistëve që kanë fituar medalje në Lojërat Olimpike, në Kampionatet Botërore e Evropiane”, thuhet në komunikatën për media.
Ministri Shala u shpreh se kjo përkrahje nga shteti vjen si dëshmi dhe njohje e meritave për ata që kontribuojnë në edukimin sportiv dhe ngritjen e cilësisë së sportit në vendin tonë.
“Me sukseset e tij, trajneri Kuka, është bërë pjesë dhe sukses i pashlyer i historisë së sportit. Puna dhe sukseset e arritura në xhudo kanë meritën e tij, dhe ato janë motivim e inkurajim për sportistët e rinj drejt sukseseve të mëdha”, u shpreh ministri.
Ndërkaq, trajneri Driton Kuka, e falënderoi ministrin Shala për marrjen e vendimit që MKRS-ja ta përkrah punën e tij.
Ai tha se kjo është një mirënjohje e kontributit që ai ka dhënë për sportin e xhudos në Kosovës. Kuka theksoi se kjo është një nxitje për të punuar edhe më tutje me brezat e rinj dhe për të nxjerrë sportistë të rangut botëror.