Mogherini nuk do ta takojë Lulzim Bashën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mogherini nuk do ta takojë Lulzim Bashën

    Insajderi
    02 March 2017 - 20:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vizita e Federica Mogherinit në Tiranë të premten nuk do të ndjekë rutinën e një axhende normale politike. Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë e Bashkimit Europian do të takojë presidentin Nishani, kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta, por jo kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

    Burime zyrtare thanë për Top Channel se kreu i opozitës, deri tani nuk është përfshirë në axhendën e zonjës Mogherini, e cila e viziton Tiranën në mes të një situate anormale politike, kur opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe ka kushtëzuar qëndrimin e saj për zgjedhjet dhe për Reformën në Drejtësi me krijimin e një qeverie teknike.

    Deri tani, askush nuk ka dhënë asnjë arsye, përse përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian e ka përjashtuar zotin Basha nga axhenda e saj politike në Tiranë. Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thanë për Top Channel se, një veprim i tillë nuk është i zakontë.

    Gjatë 4 viteve të fundit, Tirana është vizituar dy herë nga një ministre e Jashtme e Bashkimit Europian dhe, si Catherine Ashton në vitin 2013, edhe Federica Mogherini në 2016-n janë takuar me kryetarin e opozitës, përkatësisht Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.

    Burime diplomatike e shpjeguan përjashtimin e Bashës nga takimi me Mogherinin duke iu referuar gjuhës së dhunshme verbale që kreu i opozitës përdori pak ditë më parë. Një problem që e preku në deklaratën e vet edhe zëdhënësi i Kancelares gjermane, Angela Merkel.

    Megjithatë, për të dhënë mesazhin se nuk është përjashtuese ndaj opozitës, Federica Mogherini ka parashikuar në axhendën e vet një takim me drejtuesit e Parlamentit. Top Channel siguroi formatin e këtij takimi, ku opozita është e përfshirë në nivelin e nënkryetarit të Kuvendit, kryetarit të grupit parlamentar dhe kryetares së Komisionit të Integrimit.

    Deri tani, nga Partia Demokratike nuk ka një përgjigje nëse do të pranojë të takohet me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, në kushtet kur kryetari i opozitës është i përjashtuar.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark