Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, ka reaguar pas arrestimit të politikanit Aleksandar Arsenijeviq për shkak të fishkëllimës ndaj vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në veri të vendit.
Ai ka treguar se ka protestuar me filikaqe në Prishtinë disa herë dhe nuk ka pasur pasojë, sipas tij Asenijeviq u arrestua sepse është serb.
“Kur e arreston dikë me filikaqe, nuk po flet rendi e ligji, e as nuk po luftohet Serbia. Po ushtrohet represion, po shtypen liritë themelore. Unë kam protestu qindra herë me filikaqe në Prishtinë, asnjë pasojë nuk e kam pasur. As në kohën e pushteteve të kaluara madje. Arsenijeviq u arrestua për 2 arsye: sepse protestoi kundër teje, dhe sepse është serb”, shkroi ai.
Tutje, Molliqaj tha se me këtë veprim iu vërtetua botës se Kosova i shtypë të drejtat e njeriut.
“Historikisht, Kosova ka luftu për liri dhe n’emër t’lirisë. Nuk mundet me pas gjë ma t’keqe sesa me e bë armë statusin e djeshëm t’viktimes, për me ushtru represion sot.
Kur jemi te Serbia, Albin aferim t’qoftë! Sot ia ke vërtetu botës atë që na n’Kosovë kemi dashtë me i thanë veç propagandë e Vuçiqit. Kosova i shtypë të drejtat e njeriut, veçanërisht të pakicave. Arma diplomatike e Vuçiqit sot u vërtetua me figurë”, tha kryetari i PSD-së.