Molliqaj: Kemi prova që dëshmojnë alibinë për aktivistët – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj: Kemi prova që dëshmojnë alibinë për aktivistët

    Insajderi
    01 December 2016 - 13:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media ka publikuar disa materiale, për të cilat ai thotë se janë dëshmi që tregojnë alibinë dhe pafajësinë e aktivistëve të tyre që dyshohen për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

    Në këto materiale ai ka treguar vendndodhjen e secilit aktivist në kohën e sulmit ndaj Kuvendit.

    Molliqaj ka thënë se aktivisti i tyre Petrit Ademi, në kohën e sulmit ka qenë duke ngrënë dakrë më miqtë e vet në një lokal larg objektit të Kuvendit.

    Egzon Haliti, sipas tij, ka qenë te e dashura e tij në banesë. Kurse Adea Batusha dhe Atrit Dehari, tashmë i ndjerë, kanë dalë nga banesa dhe kanë shkuar në market për të blerë.

    Aktivisti tjetër Atdhe Arifi, sipas Molliqajt, 30 minuta para sulmit e parkon veturën në një lagje që është larg ndërtesës së Kuvendit.

    Ndërkaq, për Frasher Krasniqin ai thotë se ka shkuar 3 orë para sulmit në banesën e prindërve dhe nuk ka dalë deri në mëngjes.

    Për të gjitha këto Molliqaj thotë se mund të dëshmohen përmes kamerave të sigurisë. Por sipas tij, pjesa më e madhe e këtyre kamerave tashmë janë konfiskuar nga policia.

    “Disa nga kamerat e sigurisë tashme i kemi konfirmuar se policia i ka konfiskuar”, ka thënë Molliqaj.

    Një gjë tjetër që Molliqaj e ka përmendur, për të cilën thotë se është dëshmi e pakontestueshme, është sinjali i telefonave të aktivistëve, përmes të cilave mund të dëshmohet lehtë se ku kanë qenë ata në kohën e sulmit.

    “Një dëshmi shtesë e cila bëhet jashtëzakonisht kredibile që lidhet me kamerat, është edhe dëshmia e telefonit. Telefoni i secilit prej neve çon sinjal çdo 1 minutë. I bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë që t’i kërkojnë sinjalet e telefonave të aktivisteve, që tregon se ata vërtet kanë qenë në ato vende dhe larg vendit të sulmit”, ka thënë Molliqaj.

    Molliqaj ka thënë se është hera e parë që prokurori edhe pas tre muajve nuk ka dërguar asnjë dëshmi te gjyqtari i rastit.

    Ai ka thënë se këto provat do të dërgohen edhe në gjykatë për ta dëshmuar alibinë dhe pafajësinë e aktivistëve të saj./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark