Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se rajoni i Gjilanit ka mbetur peng i “përtesës” së ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut, duke iu referuar një deklaratë të tij se për rrugën Prishtinë-Gjilan përton me folë.
Molliqaj ka shpërndarë edhe muralet e PSD’së të zhvilluara në formë aksioni kundrejt kësaj deklarate, shkruan Insajderi.
“Një rajon i tërë ka mbetur peng i përteses së Liburn Aliut. Thanë që autostrada është thuajse e përfunduar e pastaj që premtimi ishte i gabuar se kryeministri u vu në lajthitje. Sot e asaj dite, plot një mandat dhe autostrada është e papërfunduar, e Anamorava, nëse jo e izoluar, rrezikon jetën në rrugën e vjetër për Prishtinë e pa urë në Badovc”, ka deklaruar Molliqaj.
“Ministër, ti edhe përton me fol për autostradën, por ne jo. Të vetmit që u vunë në lajthitje janë qytetarët e Gjilanit, Kamenicës e Vitisë, të cilëve nuk prituat t’ua kapni votën me premtime e mashtrime”, vijon postimi i tij. /Insajderi.org/