Kryetari i Partisë Socialdemrokate, Dardan Molliqaj, ka folur për arrestimin e tij nga ana e Policisë së Kosovës të enjten, pasi është liruar.
Molliqaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se arrestimi i tij u bë me pompozitet. Sipas tij, urdhërarresti nga Gjykata Themelore në Prishtinë është lëshuar 16 ditë më parë, shkruan lajmi.net.
“Më arrestuan me pompozitet, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar 16 ditë më parë, edhe ai i lëshuar jashtëligjshëm. Më liruan pas 2-3 orësh sepse s’kishin si t’më mbanin kur edhe urdhërarresti edhe arrestimi ishin të paligjshme”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka vlerësuar se Qeverisë aktuale, siç e quan ai, “po i dridhen themelet”.
Postimi i plotë:
KËSHTU DUKET PËRNDJEKJA POLITIKE
Më arrestuan me pompozitet, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar 16 ditë më parë, edhe ai i lëshuar jashtëligjshëm. Më liruan pas 2-3 orësh sepse s’kishin si t’më mbanin kur edhe urdhërarresti edhe arrestimi ishin të paligjshme.
Pse zgjodhën pikërisht 1 ditë para protestës së veteranëve ta aktivizojnë këtë urdhërarrest që ishte lëshuar para 2 javësh për një rast krejt tjetër?! Pse më liruan menjëherë, pa më dërguar as në prokurori e as në gjykatë?!
Kjo nuk lë asnjë dilemë. Këtë ma konfirmuan edhe policët: arrestimi ishte rezultat i qartë i presionit politik. Tentim frikësimi e shfaqje e forcës, në një kohë kur kundërshtimi qytetar po rritet ndaj kësaj qeverie.
Brutaliteti autoritar që kundërshtimin e vërtetë synon ta shtypë me dhunë, nuk ka tjetër formë. Qeverisë Kurti po i dridhen temelet, prandaj këto veprime policore joligjore.