Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka kritikuar ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Në një postim në Facebook, Molliqaj ka akuzuar Krasniqin për shërbim ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një simbol të nacionalizmit në kontekstin e konfliktit shqiptaro-serb.
Molliqaj thekson se, ndonëse Krasniqi përfaqëson një komunitet pakicë egjiptian që përballet me diskriminim të madh, ai është bërë pjesë e strategjisë populiste të Kurtit.
Sipas Molliqajt, Krasniqi është përdorur si një maskë për të krijuar një imazh pozitiv për publikun ndërkombëtar, ndërsa në realitet po shërben për të mbështetur agjendën populiste dhe sovraniste të Kurtit.
“Deri te molla e kuqe Elbert! Elbert Krasniqi është ministër që vjen nga pakica egjiptiane, të cilët bashkë me romët dhe ashkalinjtë janë grupi më i shtypur në Kosovë. Profili i Elbertit është përzgjedhje e Kurtit. Elberti egjiptian është maskë, vello imazhi për opinion publik ndërkombëtar. Sigurisht, Elberti e ka pranuar shërbimin. Ai është bërë simbol i betejave populliste e sovraniste të Kurtit”.
Molliqaj e kritikon Krasniqin për përfshirjen në një agjendë që nuk ndihmon komunitetin e tij, i cili përballet me kushte të këqija socio-ekonomike.
“Këtë ministër nuk ka me mbajtë në mend komuniteti i tij që jeton në kushte katastrofale. Si ministër, ai po shërben për qëndrimin e kryetarëve të dhunshëm. Në anën tjetër, komuniteti prej nga vjen ai ka shkallë të ulët edukimi, shkallë të lartë varfërie e martesa të hershme etj. Shumë mire, deri te molla e kuqe Elbert”, ka shkruar Molliqaj në Facebook