Molliqaj i përgjigjet Margarita Kadriut për akuzat ndaj tij për lidhjet me krimin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj i përgjigjet Margarita Kadriut për akuzat ndaj tij për lidhjet me krimin

    Insajderi
    29 December 2016 - 15:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj shkrimit të djeshëm në gazetën Kosova Sot, ku Molliqaj quhej “prototip i Adem Grabovcit”.

    Molliqaj, në profilin e tij në facebook, është kundërpërgjigjur ndaj deputetes Margarita Kadriu, duke e akuzuar atë që në këmbim të terminalit doganor ‘ia shiti veten Thaçit’.

    “Dje në gazetën e Margarita Kadriut, Kosova Sot, është publikuar një shpifje ndaj meje dhe disa aktivistëve të tjerë të VETËVENDOSJE!-s. Margarita Kadriu, që është tregtare politike e cila në këmbim të terminalit doganor ia shiti veten Thaçit, po e sulmon me shpifje VETËVENDOSJE!-n, anipse, ne kishim reaguar edhe zyrtarisht si Lëvizje, por edhe përmes kryetarit Visar Ymeri rreth vendimit të arbitrazhit për kontestin në mes “Z-Mobile” dhe VALA-s”, thuhet në reagimin e Molliqajt.

    Në fakt, shkrimi nuk e mban emrin e Margarita Kadriut.

    Megjithatë, Molliqaj ka thënë se që nga kontrata e parë e ‘Z-Mobile’ me VALA-n, e deri tash, ka pasur zhvatje të parasë publike.

    “Po ia bëj të qartë edhe njëherë Margaritës dhe të gjithë tregtarëve politikë që na akuzojnë me shpifje: prej kontratës së parë të “Z-Mobile” me VALA-n e deri te vendimi i arbitrazhit, ka ndodhur zhvatje e pasurisë publike dhe dëmtim i jashtëzakonshëm i VALA-s. Sigurisht që pushteti i VETËVENDOSJE!-s do të vendosë drejtësi, pa mëshirë, ndaj të gjithë atyre që e kanë zhvatur pasurinë publike të Kosovës”, ka shtuar Molliqaj.

    Në vargun e zhvatësve Molliqaj e ka futur edhe deputeten Kadriu, duke e akuzuar atë për lidhje të ngushta biznesore me, siç e ka quajtur ai, kriminelin serb, Miroslav Mishkoviç.

    “Një zhvatëse e tillë është edhe Margarita Kadriu e cila njihet edhe për raportet e ngushta biznesore me Miroslav Mishkoviç, një nga kriminelët serbë që kontribuoi edhe në financimin e regjimit të Millosheviqit”, ka thënë Sekretari i LVV-së, Dardam Molliqaj në një postim në facebook.

    Por Molliqaj shprehet i sigurt se “drejtësia herët a vonë, do të merret me të gjitha krimet që ndodhën në Kosovë, përfshirë edhe ato të Margaritës”.

    Në shkrimin e djeshëm të botuar në gazetën Kosova Sot, ndër tjera Dardan Molliqaj akuzohej për lidhjet e tij me krimin, duke e cilësuar atë si Adem Grabovc brenda Vetëvendosjes.

    “Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu, në dakordancë me ‘shefin e shefave’ – Dardan Molliqajn, bënë plane që ta trafikojnë tokën publike, duke ua falur për qëllime private të Devollëve dhe klanit mafioz të tyre”, thuhej në shkrimin e gazetës Kosova Sot./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark