
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku gjatë ditës i dërgoi letër Kurtit, ku ndër të tjera refuzonte mundësinë për koalicion dhe kërkoi Qeveri Nacionale të Tranzicionit, të formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe nga përfaqësues të komuniteteve joshumicë.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, i cili tha se refuzimi është i drejtë.
Molliqaj e ka vlerësuar si të argumentuar refuzimin e LDK-së, duke theksuar se rëndësi të veçantë kanë arsyet që e shoqërojnë këtë vendim, e jo thjesht mohimi politik.
“Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z. Abdixhiku… ka nisur mbarë duke përmendur sulmet ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, kapjen e institucioneve dhe rrezikimin e sigurisë nacionale,” ka shkruar Molliqaj.
Megjithatë, Molliqaj shpreh rezerva të forta ndaj propozimit të LDK-së për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, duke e cilësuar këtë rrugë si të “pamundur” dhe kontradiktore në vetvete. Ai thekson se është jologjike të pritet që dikush që, sipas tij, ka cënuar demokracinë dhe institucionet e pavarura, të pranojë dorëzimin e pushtetit përmes konsultimeve.
“Cili autokrat e ka dorëzuar pushtetin në tavolinë? Asnjë deri sot,” shkruan ai, duke shtuar se kjo qasje e LDK-së nuk reflekton vullnet për marrje përgjegjësie të mirëfilltë politike.
Në përfundim, Molliqaj nënvizon se rruga për ndërrimin e qeverisë është vetëm përmes krijimit të një shumice parlamentare nga opozita aktuale, e jo përmes pajtimeve formale që, sipas tij, nuk do të kenë efekt real.