Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, gjatë konferencës së sotme për media prezantoi emrat dhe fotografitë e personave, për të cilët tha se mbahen përgjegjës, jo vetëm për rastin e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharin, por tërë dëmin që i kanë sjellë Vetëvendosjes dhe Kosovës.
“E kemi thënë në konferencë e parë për shtyp, me datën 29 gusht, bashkë me kryetarin Visar Ymeri, që ky proces është i montuar, është i inskenuar dhe s’ka asnjë gjë të vërtetë. Në atë konferencë për shtyp patëm deklaruar se aktivistët tanë janë të pafajshëm”, tha ndër të tjera Molliqaj.
“Mentor Shala e Ridvan Berisha nga RTK, Shpend Maxhuni, Fatos Makolli, Luan Keka e Nexhmi Krasniqi nga Policia e Kosovës, Sylë Hoxha, Metush Biraj, Vehbi Kashtanjeva e Abdurrahim Islami nga organet e drejtësisë, si dhe ministrat Skënder Hyseni e Dhurata Hoxha, janë personat që me veprimet e tyre bartin përgjegjësi politike, penale, morale e kombëtare”, ka thënë Molliqaj.
Ai ka thënë se të gjithë të lartpërmendurit do të paguajnë me përgjegjësinë më të lartë për vendimet e tyre dhe se vdekja e Astritit nuk do të falet asnjëherë./Insajderi.com