Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka prezantuar edhe sot disa materiale, të cilat ai i quan fakte të reja për pafajësinë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët dyshohen se sulmuan Kuvendin e Kosovës.
Molliqja në llogarinë e tij në Facebook, ka demantuar provat e Policisë së Kosovës, prokurorisë dhe disa medieve, duke treguar se lokacioni nga është dërguar e-maili nuk janë dërguar nga lokacioni i dy aktivistëve të Vetëvendosjes – Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha, por nga rruga B, që nuk i bie të jetë nga dy aktivistët e kësaj partie.
“Një nga ‘provat’ në të cilat është thirrur policia, prokuroria dhe disa medie të afërta me pushtetin, ka qenë se gjoja e-maili kërcënues që merr përgjegjësinë për sulmin në Kuvend është dërguar nga lokacioni ku banon Frashër Krasniqi dhe nga IP adresa e tij, ose e atij lokacioni. Kjo është hedhur poshtë nga vetë dosja e prokurorisë. Aty thuhet qartë që e-mail adresa është dërguar nga Rruga B (pra ky nuk është lokacioni ku banon Frashër Krasniqi – Banesat e Tregtisë) si dhe që IP-të nga të cilat është dërguar e-maili janë të numrave të telefonit, abonentë të të cilëve janë Fatmir Tahiri dhe Mentor Krasniqi”, ka shkruar Molliqaj.
Molliqaj ka shtuar se dy aktivistët e kësaj lëvizjeje nuk kanë qenë fare në shtëpi gjatë kohës kur është dërguar e-maili.
“Në anën tjetër, në kohën kur është dërguar e-maili, sipas vetë dosjes së prokurorisë, as Adea dhe as Frashëri nuk kanë qenë në vendin nga ku është dërguar ai email (Rruga B)”, ka shkruar Molliqaj./Insajderi.com