Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se pushteti në Kosovë është duke krijuar panik ë qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen nga faktet që sipas tij, ai i ka paraqitur të enjten rreth kapjes së Policisë së Kosovës nga skema kriminale.
“Pushtetet autoritare krijojnë panikë dhe gjendje të jashtëzakonshme sa herë që duan të shmangen nga e vërteta. Strukturat kriminale brenda Policisë së Kosovës, në vend që të përgjigjen për faktet që i paraqitëm dje rreth kriminalitetit të tyre, krijuan situatë panike, për të cilën sot po thonë tash “situata është e qetë dhe stabile, nuk keni pse të shqetësoheni”, ka thënë ai.
Molliqaj të enjten ka treguar për një “skemë kriminale” brenda Policisë së Kosovës, e cila sipas tij udhëhiqet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie, si dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.
“Fakti që këta individë që e kanë kapur Policinë e Kosovës, janë fshehur si struci dhe nuk e thanë as një fjalë për faktet e paraqitura dje, po i konfirmon pretendimet tona”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij në Facebook.
Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se ka mobilizuar pjesëtarët e saj duke u kërkuar që të kthehen nga pushimi dhe të punojnë me orar të stërzgjatur.
Po ashtu, edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka pasur një mobilim.
Një gjë e tillë ka ngritur shqetësim tek opinioni për një sulm të mundshëm terrorist në vend, marrë parasysh edhe një njoftim të Ambasadës Amerikane në Kosovë, që ka kërkuar nga qytetarët të bjnë kujdes gjatë këtyre ditëve.
Këshilli për Siguri i Kosovës, i cili dje u mblodh në një takim, ka njoftuar se institucionet përgjegjëse të Kosovës “kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues”.
“Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Këshillit për Siguri.
“Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.