Një sasi lëndë plasëse është vendosur në banesën e drejtuesit të PD-së, Ilgner Vora në qytetin e Shijakut gjatë mbrëmjes së kaluar.
Kamera e sigurisë së familjes Vora ka fiksuar autorin natën e kaluar teksa vendos lëndën plasëse në derën e shtëpisë. Top Channel ka siguruar pamjet e autorit që qëndron jashtë derës, ndez lëndën plasëse, e hedh brenda shtëpisë dhe ia mbath.
Nga shpërthimi u shkaktuan dëme materiale dhe tronditje e fortë për anëtarët e familjes. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, ndërsa nuk dihen ende autorët. Policia deklaron se po vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në një prononcim për mediet, drejtuesi i PD-së në Shijak, Ilgner Vora hedh poshtë pistën e një konflikti mes adoleshentësh ku përfshihet vëllai i tij 16-vjeçar duke thënë se nuk e beson dhe se janë në pritje të përgjigjes së policisë.
Ai ka treguar se nuk ka pasur probleme apo konflikte me askënd, ndërsa shton se të gjithë pjesëtarët e familjes janë shumë të trembur.