Mori 50 euro ryshfet, zyrtari doganor nuk e pranon fajësinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mori 50 euro ryshfet, zyrtari doganor nuk e pranon fajësinë

    Insajderi
    06 December 2021 - 18:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    I akuzuari për marrje ryshfeti për shmangie të kontrollit doganor V.T, nuk e pranoi fajësinë, ndërsa i akuzuari Sh.G, për dhënie të ryshfetit e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

    Në seancën fillestare, në Gjykatën Themelore në Pejë, pasi që i akuzuari SH.G e pranoi fajësinë, atë e refuzoi kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, ngase i akuzuari i parë nuk u deklarua fajtor, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

    Fillimisht pasi që të akuzuarit u njoftuan me të drejtat e tyre dhe rrethanat e pranimit të fajësisë, palët kërkuan që aktakuza të konsiderohej e lexuar dhe se të njëjtit ishin të informuar lidhur me aktakuzën.

    I akuzuari V.T, deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor në asnjërën nga pikat akuzuese, ndërsa i akuzuari i dytë Sh.G tha se e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, në mënyrë vullnetare, pa ndonjë presion dhe në konsultim me mbrojtësen e tij.

    Lidhur me këtë, prokurori Haxhi Sinanaj, deklaroi se në parim pajtohet me pranimin e fajësisë të akuzuarit, për dhënien e ryshfetit, i cili pranim kishte mbështetje në prova materiale që gjenden në shkresa të lëndë.

    Por, pasi që i akuzuari nuk u deklarua fajtor, për këtë, prokurori Sinanaj propozoi që të mos pranohet, por të merret si rrethanë lehtësuese në vendimin mbi dënimin.

    “Meqenëse i akuzuari V.T u deklarua i pafajshëm, e meqenëse kemi të bëjmë me prova të përbashkëta propozoj që në këtë faze të procedurës penale të mos pranohet pranimin i fajësisë nga këtu i akuzuarit Sh.G’’, tha prokurori Sinanaj.

    Tutje mbrojtësja e të pandehurit Sh.G, avokatja Shqipdona Maraj, deklaroi se lidhur me këtë çështje penale pas konsultimit me të mbrojturin e saj dhe me analizimin e shkresave, provave të lëndës, i mbrojturi i saj qysh në fillim kishte pranuar veprën penale për të cilën akuzohet.

    Andaj, avokatja Maraj i propozoi gjykatës që t’ia pranojë pranimin e fajësisë të mbrojturit të saj dhe me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin t’i shqiptojë dënim sa më të butë.

    Më pas, kryetari i trupit gjykues Sharraxhiu, lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e pandehurit Gusturanaj, mori vendim që refuzohet pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit Gusturanaj.

    ‘’Gatishmëria e pranimit të fajësisë, të njëjtit do t’i merret si rrethanë lehtësuese me marrjen e vendimit mbi dënimin’’, shtoi gjyqtari Sharraxhiu.

    Tutje, gjykata i udhëzoi të akuzuarin Turjaka dhe mbrojtësin e tij, avokatin Kujtim Kërveshi, që deri në shqyrtimin e dytë, të bëjnë kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

    Ndërsa, shqyrtimi i dytë u caktua për 12 janar të vitit 2022.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 7 shtator 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, V.T akuzohet së më 8 mars 2020, në pikën kufitare në Kullë, Komuna e Pejës, në cilësinë e personit zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi pasurore.

    Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shefqet Gusturanaj po e drejtonte automjetin “Mercedes” dhe rimorkion, ku kishte të ngarkuara gjësende të ndryshme (motorrsharra, kositëse bari, biçikleta, etj). Lidhur me këtë, thuhet se i pandehuri T., si zyrtar doganor, nuk ndërmerr veprimet e duhura që malli në fjalë t’i nënshtrohet kontrollit doganor.

    Me këtë thuhet se i pandehuri G. përfiton duke mos paguar tatimet reale dhe si rrjedhojë dëmtohet buxheti i shtetit, në vlerë prej 225 euro.

    Më këtë, V.T akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se me qëllim që malli që posedonte i pandehuri G. të mos i nënshtrohej procedurave të kontrollit doganor, nga i njëjti i pandehuri T. kërkon dhe merr shumën prej 50 euro, në zyrën e tij.

    Më këtë, T. akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se bankënotën prej 50 euro të cilën e kishte marrë ryshfet i pandehuri T., vajza e të pandehurit G. që gjendej në automjet, me kërkesën e këtij të fundit, e vendosë në pasaportë dhe më pas ia jep të pandehurit të parë në zyrën e tij.

    Me këtë, Sh.G akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

    Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark