×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Mos bini pre e kësaj skeme mashtrimi që po kërkon para në emër të FSK-së, Insajderi sjell detajet

    Insajderi
    09 March 2024 - 12:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në emër të grumbullimit të donacioneve për Fondin e Sigurisë, qytetarët janë duke u mashtruar nga një web-faqe. Linku në fjalë kërkon para siç thuhet për “Një ushtri ka nevojë për fonde për t’u krijuar forcë të fortë”. Lidhur me këtë mashtrim ishte Ambasada e SHBA-së që ka paralajmëruar qytetarët. Ndërsa Gazeta Insajderi ka marrë një përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se asnjë organizatë nuk ka autorizim për donacione, përveç Fondit të Sigurisë.

    Ai tha se linku që po shpërndahet është mashtrim.

    Përveç fondit të sigurisë të Qeverisë së Kosovës, asnjë fond tjetër dhe asnjë organizatë nuk janë të autorizuara për donacione për mbrojtje dhe siguri”, tha ministri për Insajderin.

    Çka thuhet në web-faqen mashtruese?

    Web-faqja, donor.box.org, është duke mashtruar bashkatdhetarët. Aty kërkohen para për Fondin e Sigurisë.

    Vlera që ata mund të japin është nga 5 euro deri në 20 euro, por që është edhe mundësia që qytetarët ta caktojnë shifrën e parave që duan kinse ta dhurojnë.

    Ndërsa në detajet e tjera shkruhet se këto donacione po kërkohen për një ushtri të fortë.

    Na ndihmoni të krijojmë një krah që është mbrojtës për vendin dhe popullin tonë. Një ushtri ka nevojë për fonde për t’u krijuar për një forcë të fortë, donacionet tuaja do të ndihmojnë ushtrinë që të krijohet. Donacionet do të shpëtohen deri në vitin 2020 dhe pastaj gjithçka do të jepet në Ministrin e Sigurisë së Kosovës“, thuhet aty.

    Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë në mars të vitit 2022, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë përmes një xhirollogarie bankare.

    Çka tha ambasada e SHBA-së?

    Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftoi për mashtrimin që po i ndodh bashkatdhetarëve me një link që merr para në emër të Fondit për Siguri të FSK-së.

    Në njoftim bëhet me dije se e vetmja formë për donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës është nëpërmjet llogarisë bankare në Bankën Qendrore të Kosovës.

    “Njoftojmë të gjithë bashkatdhetarët se linku https://donorbox.org/fsk-donation , i raportuar së fundi nga bashkatdhetarët në SHBA, nuk ka të bëjë asgjë me donacionet për Fondin e Sigurisë së FSK-në dhe është mashtrim. Rikujtojmë se e vetmja formë për donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është nëpërmjet llogarisë bankare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, llogari për Fondin e Sigurisë”, thuhet në reagim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark