Policia e Kosovës ka kërkuar nga mbarë qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të mundshme dhe që protestat nëpër komunat veriore të zhvillohen në mënyrë të qetë.
Nëpërmjet një njoftimi, PK-ja ka bërë të ditur se po vazhdon angazhimet në bashkëpunim me trupat e KFOR-it për sigurimin e lëvizjes së lirë nëpër komunat veriore, shkruan Gazeta Insajderi.
“Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, edhe sot po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe po kryen detyrat e saja të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante, po vazhdon me angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, sigurimin e lirisë së lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, ku edhe sot po vazhdojnë protestat”.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, përfundon njoftimi. /Insajderi.org/