Vladimir Putin ende demonstron qetësi. Por presidenti i ri në Shtëpinë e Bardhë nuk do t’ia bëjë të lehtë jetën kreut të Kremlinit, ndërkohë që vetë Joe Biden ka bërë disa gabime, mendon Miodrag Soric, drejtor i zyrës së Deutsche Welle në Uashington.
Fundi i vitit 2020 e gjen Rusinë të izoluar si kurrë më parë, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Moska ndodhet në grindje të vazhdueshme me fqinjët europianë, përjashto këtu diktatorin bjellorus, Aleksander Lukashenko. Mosbesimi i tyre kushtëzohet historikisht, por është më shumë edhe një reagim ndaj politikës së jashtme të Moskës. Ministri i ardhshëm i Jashtëm amerikan, Anthony Blinken e përshkruan atë si “agresive”, “me zigzage” dhe “aventuriere”, e mendon ta nxjerrë para përgjegjësisë Moskën për “aksionet e rrezikshme” si trupat ruse në Ukrainë apo mbështetja për regjimin e Asadit në Siri.
Ende Moska reagon me qetësi ndaj paralajmërimeve të tilla. Por nuk ka për të qenë më kështu, kur Uashingtoni të shtrëngojë më shumë vidën e sanksioneve, që mund të pasojë në vitin 2021. Uashingtoni nuk ka vendosur ende sanksione për shembull për helmimin e opozitarit rus, Aleksej Navalny. Presioni pritet të rritet për të penguar edhe ndërtimin e gazsjellësit rus Nord Stream2.
Jo një fillestar në Uashington
Shumica e anëtarëve të administratës amerikane nuk janë fillestarë, ata kanë punuar ndërkohë për administratën e presidentit Obama. Kështu ata kanë përvojë me Vladimir Putinin, si edhe vetë presidentin, Joe Biden. Uashingtoni nuk e pranon ndarjen e botës në sfera influence, si në kohën e Luftës së Ftohtë. Që do të thotë: Nëse shumica e popullit bjellorus nuk e dëshiron më diktatorin e vet, atëherë Moska nuk ka pse të përzihet. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarësimin e mundshëm të Gjeorgjisë në NATO. SHBA, do ta sprapsin ku të jetë e mundur ndikimin e Moskës. E Moska nuk mund të bëjë shumë kundër kësaj.
Rusia do të bëhet më e dobët me kalimin e viteve, sepse Kremlini i la të kalojnë pa rezultate vitet e shkuara: Modernizimi i ekonomisë i premtuar nga Putini nuk po ecën përpara. Fitimet e bankave ruse dhe sipërmarrjeve të tjera po shkrihen. Vendi vazhdon të jetojë vetëm nga eksporti i lëndëve të para energjitike. Forcat e mirëkualifikuara largohen nga vendi. Pagat reale ulen prej vitesh, transferimi i kapitalit jashtë kap miliarda. Në të njëjtën kohë janë ulur investimet e koncerneve të huaja në vend. Për rusët e thjeshtë janë ngushëllim i vogël intervenimet ushtarake në Ukrainë, Siri apo Libi: Me propagandën patriotike të mediave të komanduara nga shteti, Ivan Ivanoviçi i thjeshtë nuk mund të blejë gjë.
Kremlini do të ndryshojë sjelljen e tij, vetëm nëse duhet. Uashingtoni dhe Europa po përgatiten prej vitesh për konfrontimin. Megjithëse ka tema, ku perëndimi do të bashkëpunojë me Moskën: si luftimi i terrorizmit ndërkombëtar, riaktivizimi i marrëveshjes me Iranin, apo çështjet e klimës. Por qëndrimi bazë i konsiderimit të Rusisë si kundërshtar do të mbetet.
Moska ka nevojë për Pekinin
Çfarë do të bëjë Rusia atëherë? Ajo do duhet të mbështetet më shumë tek Pekini, thjesht për arsyet ekonomike. Në një kohë që rolet janë të qarta: nga njëra anë gjigandi ekonomik, Kina, kurse në anën tjetër partneri më i vogël me probleme, Rusia. Tek këto koordinata bazë të politikës së jashtme nuk luan ndonjë rol të madh fuqia ushtarake e Moskës. NATO është shumë më e fuqishme. E tani, kur Joe Biden dhe europianët do të duan ta ndërlidhin edhe më shumë politikën e jashtme, akoma më shumë. Moska është e izoluar, e zbukuron gjendjen, si në konferencën vjetore të Putinit. Duket se ai ka kohë që e ka humbur lidhjen me realitetin.
Biden gjithmonë fajkoi
Pushteti në botën moderne përkufizohet para së gjithash ekonomikisht. Në këtë pikë kuptohet mjerimi i Rusisë. Sigurisht edhe Europa do të vuajë nga pandemia. Por sapo të kalojë ajo, do të pasojë hovi ekonomik. Në këtë kohë SHBA dhe Europa mund të printojnë para sa të duan – në të gjithë botën besimi në ekonomitë e tyre mbetet i fuqishëm.
Por tek e vërteta bën pjesë po ashtu, se Joe Biden si senator dhe zëvendëspresident ka marrë disa vendime të gabuara -të kujtojmë këtu vetëm intervenimin amerikan në Libi apo në Irak. Brenda Demokratëve ai në politikën e jashtme gjithmonë konsiderohej si fajkoi. Por brenda pak javësh ai do të jetë president i vendit. Pas kësaj e ka edhe shansin të mësojë nga gabimet e së shkuarës./DW.