Fillimisht të prezantuara në Izrael, certifikatat e Covid 19, të njohura me emra të ndryshëm, janë dokumente digjitale dhe fizike – të cilat përmbajnë një kod QR, që njihet nga aplikacionet e telefonave të mençur dhe i cili dëshmon se jeni vaksinuar plotësisht nga Covid 19, shkruan Gazeta Insajderi.
Shumë shtete të Evropës, tashmë e kanë bërë të obligueshme certifikatën e Covid 19, për çdo person i cili dëshiron të hyjë në territorin e tyre.
Por jo të gjitha dokumentet që dëshmojnë se jeni vaksinuar kundër Covid 19 njihen në Evropë.
Edhe pse të vaksinuar, qytetarët e Kosovës, tash e disa javë janë duke u ballafaquar me probleme të mëdha për udhëtim në disa shtete evropiane, për shkak se certifikatat e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, ende nuk janë pranuar në EUDCC (European Union Digital Covid Certificate).
Certifikata digjitale e Covid 19 e Bashkimit Evropian, është një dokument i miratuar me 1 korrik të këtiji viti, i cili iu lejon qytetarëve të udhëtojnë lirshëm në 27 vendet e Bashkimit Evropian si dhe në shtetet si Zvicra, Islanda, Norvegjia dhe Litenshtajni.
Së fundmi, edhe disa shtete jashtë Bashkimit Evropian siç janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Ukraina, janë bërë pjesë e rrjetit të EUDCC, duke bërë që edhe dëshmitë e vaksinimit të lëshuara nga këto shtete të pranohen në Bashkim Evropian.
Ndonëse Kosova ka vaksinuar 50% të popullatës së rritur me dy doza kundër Covid 19, duke përdorur vetëm vaksina të pranuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) si Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, certifikatat e lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk njihen në disa shtete të Evropës.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, janë shprehur se janë duke punuar me përgjegjës të Komisionit Evropian, që të pranohet certifikata edhe për qytetarët e imunizuar të Kosovës.
“Përgjegjësitë e Ministrisë se Shëndetësisë janë të dizajnojnë cerifikatën sipas kritereve të Komisionit Evropian dhe të përmbushë standardet që ky dokument duhet t’i ketë, normalisht, të kërkojë dhe avokojë sa më shumë që ka mundësi te KE-ja, që certifikata të njihet sa më parë që ka mundësi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për REL.
Shtetet evropiane të cilat nuk i njohin certifikatat e Covid 19 të lëshuara nga autoritetet e Kosovës
Në mungesë të pranimit të certifikatës së vaksinës nga EUDCC, qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vaksinuar plotësisht ndaj Covid 19, hasin në vështirësi të ndryshme gjatë udhëtimeve në Evropë, vështirësi të cilat dallojnë nga kriteret e vendosura të vendeve pritëse.
ITALIA – Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë në Itali, qytetarët nga Kosova, duhet të plotësojnë këtë formular, të kenë dëshmi digjitale apo fizike që janë vaksinuar si dhe një test negativ (PCR ose antigjen – jo më të vjetër se 72 orë) për të hyrë në shtetin e gadishullit Apenin. Në rast të mungesës së certifikatës së vaksinimit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, qytetarët duhet të izolohen për një periudhë pesë ditore e pastaj të ri-testohen.
SUEDIA – Suedia ka vendosur një ndalesë për udhëtimet jo-esenciale nga qytetarët jashtë Bashkimit Evropian deri me 31 tetor. Individë të caktuar të cilët kanë nevoja urgjente ose ata që do të kryejnë shërbime thelbësore në Suedi mund të pranohen. Udhëtarët nga Kosova, të cilët kanë të drejtë hyrje në Suedi, duhet të posedojnë me vete një test negativ (PCR) jo më të vjetër se 72 orë.
Agjensioni Publik i Shëndetit në Suedi (Folkhälsomyndigheten), në një përgjegjie për Gazetën Insajderi, kanë thënë se vendimi për mos-njohjen e certifikatave të Covid 19 nga Kosova, është vendim politik i cili vjen nga Qeveria e Suedisë, konform standardeve të EUDCC.
NORVEGJIA – Edhe Norvegjia ka vendosur ndalesa për qytetarët të cilët mund të hyjnë në territorin e saj. Në secilin rast, qytetarët e Kosovës duhet të plotësojnë këtë formuluar, prezantojnë një test negativ (PCR) jo më të vjetër se 24 orë, si dhe të hyjnë në karantinë 10 ditore.
ZVICRA – Zvicra nuk e njeh certifikatën e vaksinës së Kosovës, por ofron mundësi që duke filluar nga 11 tetori, qytetarët të cilët janë vaksinuar në Kosovë, të aplikojnë për certifikatë zvicerane e cila kushton 30 franga. Vlefshmëria e certifikatës së vaksinës së lëshuar nga MSH, vlen vetëm për hyrje në shtetin zviceran. Ndërkohë, për secilin aktivitet që zhvillohet në hapësira të mbyllura, kërkohet certifikata e vaksinës EUDCC, ose test negativ jo më i vjetër se 72 orë.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe aktori dhe producenti i njohur, Adrian Morina, i cili në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se janë duke bërë rapid teste të cilat janë të vlefshme vetëm tri ditë.
“Ne shtetin e Zviceres mundesh me hy me letërdëshmine për vaksinim të plotë. Ndërsa, në asnjë institucion ku kërkohet dëshmia e vaksinimit nuk e njohin QR Kodin e Kosovës. Duhet të bëhet PCR, rapid test të cilin e vendosin në aplikacion dhe i cili vlen vetëm 3 ditë. Pastaj? Test. Vlefshmëria, pos mundësise së hyrjes në Zvicër, është zero. Duket qesharake, por teatri ku jam duke punuar, pavarësisht se testohemi 2 herë në javë, po provon me i “nostrifiku” vaksinat që ti kem ne aplikacionin e vaksinimit. Ne pritje jam” – shkroi ai kohë më parë në Twitter.
Refuzimi i hyrjes dhe kthimi mbrapa
Qytetarë të shumtë janë detyruar të kthehen nga vendet që nuk i njohin certifikatat e vaksinave të Kosovës, edhe pse kanë qenë plotësisht të vaksinuar. I tillë ishte edhe rasti i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, i cili nuk u lejua të hynte në Norvegji.
“Nga autoritetet norvegjeze më është bërë e ditur se ata nuk e njohin çertifikaten digjitale të vaksinimit të lëshuar nga Republika e Kosovës me arsyetimin se shteti ynë nuk eshte pjese Bashkimit Evropian dhe çertifikata në fjalë nuk është e njejtë ”EU DIGITAL COVID PASS” – u deklarua ai për Periskopin ditë më parë.
Fat të njëjtën kanë pasur edhe disa qytetarë të Kosovës, të cilët po udhëtonin nga Muncheni për në Oslo.
“Disa pasagjerë tanë, të vaksinuar plotësisht, të cilët po udhëtonin nga Munchen për në Oslo, janë ndaluar në aeroportin e kryeqytetit norvegjez dhe janë detyruar të blejnë bileta të reja për në Kopenhagen, pasi shteti nordik kërkon teste negative jo më të vjetra se 24 orë dhe nuk i njeh certifikatat e vaksinave të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë. Arsyeja është pasi certifikatat e vaksinimit të Kosovës ende nuk janë pranuar nga EUDCC” – u shpreh Valon Mehmeti, drejtor i agjensionit turistik Next Travel.
/Insajderi.org/