Intervista e dhënë kohëve të fundit nga ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan Harçenko, ëshë paralajmërim ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se po qe se Serbia ndërron pozicion në çështjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, këta të fundit do të pranojnë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, beson aktivistja serbe, Natasha Kandiq, shkruan Insajderi.
Këtë koment Kandiq e bëri në rrjetin e saj në Twitter ku shkroi se “Mesazhet e djeshme të ambasadorit rus në Beograd janë më shumë një paralajmërim për Vuçiqin, se Rusia do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OKB nëse Serbia i vendos sanksione”.
Kujtojmë se ambasadori rus në Beograd, madje e deklaroi si të mirëqenë se Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman, pavarësisht asaj se Aleksandar Vuçiq ka pohuar publikisht pranimin e planit për normalizim të marrëdhënieve.
Çështja e sanksioneve ndaj Rusisë, Serbinë e ka mbajtur në limbo në raport me Perëndimit, ku edhe një numër rezolutash të miratuara në BE kanë propozuar pezullimin e tërësishëm të negociatave të Serbisë me BE’në.
Serbia dhe Bjellorusia janë dy vendet e vetme në kontinentin evropian të cilat kanë refuzuar të vendosin sanksione ndaj Federatës Ruse që nga agresioni i 24 shkurtit të vitit të kaluar.