Janë 250 mijë persona me nevoja të veçanta në Kosovë. Jo kaq i madh del të jetë edhe numri i tyre që punojnë nëpër Institucione.
Bazuar në të dhënat që posedon Gazeta Fjala, totali i të punësuarve me aftësi të kufizuara, në Institucione qendrore, duke përfshirë kështu stafin civil, është vetëm 50 persona.
Prej këtij numri, 36 janë burra ndërsa 14 gra.
Shtatë prej tyre kryejnë punën në Policinë e Kosovës, ku edhe është angazhuar numri më i madh kësaj kategorie të qytetarëve.
Megjithatë është shumë larg kërkesave ligjore ku punëdhënësit janë të obliguar të punësojnë një person me aftësi të kufizuar në ç’do pesëdhjetë punëtorë.
Siç duket ky ligj nuk vlen edhe për kryeministrin Isa Mustafa, e Presidentin Hashim Thaçi.
Nga numri i përgjithshëm, i të punësuarve në zyrën e kryeministrit që është 548, vetëm pesë burra me aftësi të kufizuara punojnë aty dhe asnjë grua.
Hiç më e mirë nuk është situata në Zyrën e Presidentit Hashim Thaçi. Aty janë të punësuar 43 persona. Gazeta Fjala, mëson se në mesin e tyre nuk është i punësuar, asnjë person i kësaj kategorie.
I pari i shtetit duket se ishte treguar më zemërmirë gjatë kohës sa ishte duke udhëhequr Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Nga 204 të punësuarit në këtë ministri, janë të punësuar tre burra që i takojnë kësaj kategorie.
Ministria e Punëve të brendshme, me udhëheqësin Skender Hyseni, kanë të punësuar 1079 persona, prej tyre një burrë dhe tri gra me nevoja të veçanta.
Në Ministrinë e Infrastrukturës, të udhëhequr nga Lutfi Zharku, vetëm një burrë me nevoja të veçanta e ka punësuar, në mesin e 243 të punësuarve të tjerë.
Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale, të Arban Abrashit, në mesin e 873 të punësuarve, 4 burra me nevoja të veçanta janë punësuar në këtë Ministri.
Derisa, në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, janë punësuar 657 persona dhe vetëm dy burra me nevoja të veçanta.
E në Ministrinë e Shëndetësisë nga 643 të punësuarit, dy persona me nevoja të veçanta janë punësuar, në mesin e tyre një burrë e një grua.
Ministria e Administratës Publike, nga 255 të punësuarit, 3 burra me nevoja të veçanta i ka të punësuar në Ministri, ndërsa asnjë grua.
Institucionet diskriminuese
Edhe Sekretaria e Kuvendit të Kosovës në mesin e 172, të punësuarve me status pune nuk e ka gëzuar asnjë person me nevoja të veçanta.
Diskriminim të njëjtë ka bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e udhëhequr nga Hykmete Bajrami, e cila nuk ka vendosur që në institucionin e saj, të jetë i punësuar një person i kësaj kategorie.
Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve që është 201, asnjë person me aftësi të kufizuara nuk është i punësuar në MTI.
Edhe Ministria e Drejtësisë, e drejtuar deri më tani nga Hajredin Kuçi, ka vepruar njësoj sikur Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
405 persona janë të punësuar, aty por asnjë person me aftësi të kufizuara.
Ministria për komunitete dhe kthim nën udhëheqjen, e Dalibor Jevtić, i ka të punësuar 80 persona, ndërsa asnjë me aftësi të kufizuara.
As Memli Krasniqi, nuk u ka bërë vend në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, personave të kësaj kategorie, në mesin e 294 të punësuarve tjerë.
Ferid Agani i cili është liruar nga detyra për shkak të problemeve me drejtësinë i ka të punësuar në ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, 269 persona, mirëpo asnjë nuk i takon kategorisë së personave me aftësi të kufizuara.
Edhe Blerand Stavileci nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, asnjë person me aftësi të kufizuara nuk e ka punësuar edhe pse numri i të punësuarve në të tjerë është 122.
Ministria e Forcës dhe Sigurisë, e drejtuar nga Haki Demolli, i ka të punësuar 165 persona, ndërsa njësoj si ministritë tjera, asnjë person me aftësi të kufizuara nuk e ka gëzuar statusin e punës.
Bekim Çollaku, shef i Ministrisë për Integrime Evropiane, nuk ka punësuar asnjë person me nevoja të veçanta në ministrinë e tij, në mesin e 64 të punësuarve të tjerë.
Në 49 të punësuar në Ministrinë e Diasporës, nuk gjendet asnjë person me aftësi të kufizuara i punësuar.
Sekretariati i Komisionit Zgjedhor nga 72 punëtor, asnjë person me nevoja të veçanta nuk e ka punësuar. Njëjtë edhe në Auditorin Gjeneral të Kosovës, nga 150 të punësuarit asnjë person nuk është me nevoja të veçanta.
Njëjtë është gjendja edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit, Universitetin e Prishtinës, Gjykatën Kushtetuese, Institutin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionin e Pavarur për media, e komisionin për miniera.
As në akademinë e Shkencave dhe Arteve nuk janë të punësuar asnjë prej personave të kësaj kategorie. /Gazeta Fjala/