Lebibe Haliti, e cila më herët ishte Udhëheqëse e Sektorit për Çështje Juridike në Inspektratin e Tregut, ditë më parë është emëruar U.D. e Kryeinspektores së Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Demokracia.com ka mësuar se kryeinspektorja e re është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti. Përveç motrës së tij, Qeveria Kurti e kishte rehatuar më herët në një pozitë mjaft të lartë brenda Qeverisë së Kosovës edhe mikun e deputetit Enver Haliti. Bëhet fjalë për Besim Imerin, i cili ishte emëruar udhëheqës i Njësisë së Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike.
Persona të afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, po vazhdojnë të punësohen dhe avancohen në institucione të ndryshme të shtetit, duke u shpërblyer me pozita të larta.
Qeveria e Kosovës para dy javësh mori vendim që Lulzim Sylës të mos ia vazhdojë mandatin si Kryeinspektor i Tregut, anise gjatë këtij viti të njëjtit iu zgjat mandati për katër vite.
Për ta marrë një deklaratë rreth shkarkimit të tij, mediumi ka kontaktuar edhe ish-kryeinspektorin Syla, por i njëjti nuk ka qenë në dispozicion për t’u përgjigjur.
Në anën tjetër, Qeveri Kurti nuk është vonuar shumë, pasi siç ka mësuar Demokracia.com, në këtë pozitë është emëruar menjëherë një familjare e deputetit të LVV-së, Enver Halitit. Në këtë pozitë shumë të rëndësishme, tani po qëndron motra e tij, Lebibe Haliti.
Edhe një familjar tjetër i Enver Halitit ka marrë më herët pozitë të lartë në institucionet e Kosovës. Miku i deputetit Haliti, Besim Imeri, tanimë ka kohë që po udhëheq me Njësinë e Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë.
Kurti para se të merrte pushtetin për herë të parë në vitin 2019, i kishte thurur lavde Besim Imerit përmes një shkrimi në Facebook, deri sa konfirmonte se ky i fundit i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Që prej marrjes së pushtetit, Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij janë kritikuar vazhdimisht për nepotizëm për shkak të punësimeve të familjarëve të njerëzve të LVV-së nëpër institucione të shtetit.
Kurtit i rikujtohen vazhdimisht deklaratat e tij si opozitar, i cili kritikonte pushtetet e atëhershme për veprime të tilla.
“Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë, nesër, pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Kurti.