
Një tragjedi goditi provincën veriore të Giresunit në Turqi, ku një 23-vjeçar humbi jetën aksidentalisht gjatë dasmës së tij, pasi një i ftuar qëlloi me armë zjarri në shenjë festimi.
Dhëndri ndërroi jetë këtë mëngjes, vetëm një ditë pas ceremonisë së martesës.
Për shkak të të shtënave fatale, autoritetet arrestuan kunatën e tij, motrën e nuses, që dyshohet si përgjegjëse, raporton miliyet.
Ngjarje të tilla janë të shpeshta në Turqi, ku tradita e përdorimit të armëve gjatë festimeve vazhdon të sjellë pasoja tragjike.
Një organizatë lokale raporton se në vend qarkullojnë rreth 40 milionë armë zjarri, shumica prej tyre pa leje.
Vetëm një javë më parë, një dasmë në provincën fqinje të Trabzonit përfundoi me një person të vrarë dhe dy të plagosur për shkak të të shtënave me armë.
Autoritetet i bëjnë thirrje publikut të ndalojë këtë praktikë të rrezikshme.