Gjykatësja e Gjykatës Komerciale, Vlora Pacolli, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit, në dy raste të veçanta ka nxjerrë vendim duke i dhënë të drejtë Telekomit të Kosovës në ankesat e tyre lidhur me gjobat që ua ka shqiptuar Inspektorati i Punës për shkelje të të drejtave të punonjësve të ndërmarrjes publike. Ndërmarrja që udhëhiqet nga Burbuqe Hana e VV’së, e kishte quajtur Inspektoratin e Punës si “gjobvënës të jashtëligjshëm”.
Gjobat të cilat Inspektorati i Punës i ka shqiptuar në drejtim të ndërmarrjes publike kanë qenë të natyrës së shkeljes së të drejtave të punonjësve të Telekomit. Zakonisht, ndërmarrja e Hanës gjobitej për mos-respektim të konkurseve të punës në bazë të udhëzimeve administrative dhe mos-respektim të Ligjit të Punës.
LEXO EDHE:
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dy vendime të periudhave të ndryshme kohore, ku vënë në mëdyshje ligjshmërinë e Inspektoratit të Punës. Këto dy vendime, të nxjerra nga gjykatësja Vlora Pacolli, e cila është edhe motra e deputetes Fitore Pacolli, e “aprovojnë” nofkën që nga menaxhmenti i Telekomit thonin për Inspektoratin e Punës: Gjobvënës i paligjshëm.
Në një vendim të nxjerrë më 28 nëntor të këtij viti, Pacolli ia aprovon në tërësi ankesën e Telekomit të Kosovës lidhur me një gjobë prej tre mijë eurove, e cila është konfirmuar nga dy shkallët e Inspektoratit të Punës.
“Gjykata vlerëson se i të paditurit Inspektorati i Punës ka tejkaluar kufijtë e kompetencës të cilat me ligj të veçantë janë përcaktuar tek një institucion tjetër, në këtë rast, të gjykatës, dhe me nxjerrjen e vendimit të kontestuar, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 par. 5 të Ligjit të Inspektoratit të Punës, par. 6 dhe 7 të Rregullores UA nr.07/2012 dhe nenin 70 par. 1.4 dhe 1.6 të Ligjit të Punës, andaj gjykata bazuar në nenin 35 të LKA-së, konstatoj se akti administrativ i lëshuar nga organi administrativ në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë të përcaktuar ne LPPA, neni 4, Organet publike veprojnë në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, si edhe me rregullat e përgjithshme administrative të zbatueshme brenda kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilat janë dhënë këto kompetenca”, thuhet ndër të tjera në aktvendim.
Në ankesën e aprovuar në tërësi të ndërmarrjes Telekomi i Kosovës, thuhet se inspektori që kishte shqiptuar këtë gjobë iu është referuar gabimisht Ligjit ë Punës, teksa pretendon se Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë të trajtoj dhe vendos për çështje të kontesteve të punës.
“E në rastin konkret, Inspektori i Punës, Fatmir Halili, nuk ka pasur autorizime që të trajtojë ankesën e ankuesit … Konsideron se Inspektori i lartpërmendur ka tejkaluar kompetencat e veta të cilat i janë përcaktuar ligji dhe si rezultat, vendimin e ankimuar e konsideron të padrejtë dhe të paligjshëm për shkak se Inspektori, ka shqiptuar gjobat duke u mbështetur dhe referuar gabimisht në nenin 92.1 të Ligjit të Punës nr.03/L-212 sepse në rastin konkret me dispozitat e nenit 92.4 përpos që nuk ka kompetencë të trajtoj dhe vendosi për çështje të kontesteve të punës, asnjëra nga gjobat e shqiptuara për cenimet e pretenduara nga i padituri, nuk janë të përcaktuar si gjobë në Udhëzimin Administrativ Nr.07/2012“, thuhet ndër të tjera në aktvendim.
Ngjashëm ka vepruar edhe në një rast tjetër motra e Fitore Pacollit. Ajo në një aktgjykim të këtij viti aprovon në tërësi ankesën e Telekomit të Kosovës për një gjobë të Inspektoratit të Kosovës për shkelje të të drejtave të punonjësve dhe shtyn ekzekutimin e saj.
Insajderi iu është drejtuar me pyetje Inspektoratit të Punës, nëse ka vendosur që të ankimojë vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.
“Hasmëria” e Telekomit me Inspektoratin
Inspektorati i Punës si mbikëqyrës i Ligjit të Punës ka gjobitur në vazhdimësi Telekomin e Kosovës.
Ndërmarrja publike e ka shkelur një udhëzim administrativ që është obligativ të zbatohet edhe për ndërmarrjet publike. Përmes evitimit të këtij udhëzimi administrativ, kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana përzgjedhte njerëzit e preferuar të saj nëpër konkurse.
Kjo manifestohej përmes largimit të testit me shkrim, kufizimit të afatit kohor për ankesa dhe përfshirjeve të saj nëpër komisione vlerësuese.
Nga Telekomi i Kosovës kanë pasur fjalë të rënda për Inspektoratin e Punës. Zyrtari kryesor i Financave dhe Thesarit në Telekom, Feim Kelmendi – i cili e ka shpërfaqur haptazi mbështetjen ndaj VV’së – e ka cilësuar si “gjobëvënës të paligjshëm” institucionin në krye të së cilit po qëndron jashtëligjshëm Hekuran Nikçi, i emëruar nga Qeveria Kurti.
“E konfirmojmë që Inspektoriati i Punës i ka shqiptuar disa gjoba adminstrative ndaj Telekomit te Kosovës. Këto gjoba i kemi konsideruar të jashtëligjshme dhe jashtë kompentencave të Inspektoriatit te njëjtat i kemi atakuar edhe në gjykatë. Inspektoriati i Punës në fakt ka dalë tërësisht jashtë binarëve të kompetencave që i takojnë me ligj dhe është shndërruar në gjobëvënës të paligjshëm ndaj Telekomit të Kosovës, duke shqiptuar në vazhdimësi gjoba të jashtëligjshme ndaj Telekomit të Kosovë. Arsye për këto sigurisht mund të i dinë vetëm ata”, deklaronte Kelmendi në një përgjigje me shkrim për Insajderin.
“Telekomi i Kosovës si ndërmarrje publike nuk është e obliguar të zbatoje UA Nr. 07/2017, Telekomi i Kosovës procesin e rekrutimit dhe konkurseve publike dhe te brendshme e ka të rregulluar me rregullore të brendshme, rregullore e cila eshte aprovuar nga Bordi i Drejtoreve. Kjo rregullore është ne harmoni te plote me Ligjin e Punes te cilin Telekomi i Kosoves është i obliguar ta zbatoje. Sicili konkurs i brendshëm ose i jashtëm që është zhvilluar nga Telekomi i Kosovës është zhvilluar në harmoni të plotë me rregulloren e brendshme”.
Raportimet e Insajderit për gjobat e Inspektoratit të Punës ndaj Telekomit: