
Mozaiku më i ri i muzeut Kombëtar të Kosovës me portretin e Nënë Terezës, vepër e artistit nga Shqipëria, Saimir Strati, ka hyrë zyrtarisht në librin e rekordeve botërore “Guinness”.
Kjo vepër në madhësi prej 2 metra e gjysëm me katër metra dhe me një sipërfaqe prej 10 metra katrorësh, është ndërtuar me një milionë e gjysmë kapëse teli.
Puna për këtë vepër ka filluar në muajin nëntor të vitit 2016 dhe ajo ka përfunduar më 28 nëntor, ditën e flamurit shqiptar dhe të pavarësisë së Shqipërisë, atdheut të artistit të kësaj vepre. Kurse në shkurt të këtij viti mozaiku u njoh zyrtarisht nga Guinness si mozaiku më i madh në botë nga kapëse teli.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj në një intervistë për Anadolu Agency, ka thwnw se artisti Saimir Strati, më këtë vepër ka shtjelluar temën e refugjatëve.
“Kapëset janë dyngjyrëshe të bardha dhe ngjyrë kafe dhe këto kapëse janë një ide shumë unike e maestro Stratit që i referohen një drame të vitit 2016 që ka lidhje me ekzodin e madh nga Lindja e Afërt drejt Evropës me shumë flukse refugjatësh edhe me shumë rrethoja teli nëpër kufijtë e shteteve”, tha Boshtrakaj.
Ndryshe, prezantimi zyrtar i mozaikut, ku do të marrë pjesë edhe autori i tij Strati, do të mbahet në fillim të muajit prill gjatë Konferencës Rajonale të organizuar nga Muzeu Kombëtar të Kosovës dhe Rrjetit Ballkanik të Muzejve.