Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Në të dhënat e zakonshme të fluksit kufitar që Ministria e Punëve të Brendshme i përditëson kohë pas kohe, përditësimi i disa çasteve më parë njofton se pikat kufitare: Jarinje, Bërnjak, Merdarë janë të bllokuara.
Derisa fluksi në pikat tjera kufitare është zero, në këto tri pika që qojnë për në Serbi thuhet se hyrje-daljet janë të bllokuara për shtetasit me dokumente të Republikës së Kosovës.
Për dallim nga këto tri pika, Mutivoda, Muçibaba dhe Dheu i Bardhë, që çojnë po ashtu për në Serbi, nuk janë mbyllur.