Ministria e Punëve të Jashtme ka angazhuar firmën A.L. DUSHI SH.P.K. për tenderin e shërbimeve postare diplomatike. Firma del që merret me pastrim kimik dhe lavanderi. Derisa konkurrenti tjetër në garë, firma ” 3P ” SH.P.K., nuk iu duke krejt e besueshme MPJ-ss. Shkak? Çmimi i ulët.
Gazeta Insajderi
“SheInspires” ishte një kampanjë ku po promovoheshin bizneset me pronare gratë. Ndër bizneset që u promovua në këtë kampanjë ishte edhe A.L. DUSHI SH.P.K.
“Pjesë e kampanjës digjitale nën sloganin #iwd2021kosovo organizuar nga She Inspires dhe EBRD Kosovë & Shqipëri dhe në bashkëpunim me U.S. Embassy Pristina, Kosovo leadership and staff. Xhylizare Selimi Dushi, Drejtuese -AL DUSHI Laundry&Dry Cleaning”, thuhet në këtë njofim të vitit 2021.
Kjo firmë, pronë e Xhylizare Selimi Dushi si aktivitet ka pastrimin kimik, por më poshtë ka shënuar edhe aktivitete si rritja e deleve, gjedheve, fermave të përziera.
Si aktivitet kryesor ka listuar shifrën “9609”. Në listën e Agjencisë së Binzeseve nën këtë shifër nuk ka sqarime, dhe aq më pak sugjerime që këto janë aktivitete postare, për çka kjo firmë tashmë është përzgjedhur nga Ministria e Punëve të Jashtme. “Veprimtaritë e mirëmbajtjes trupore 9609- Veprimtaritë e tjera p.k.t.”, është sqarimi i vetëm që është dhënë për këtë shifër.
Pavarësisht kësaj, MPJ-ja ka shpërblyer këtë kompani me tenderin për shërbime postare diplomatike.
Kontrata është kornizë për tri vite në një vlerë prej 250 mijë eurosh.
Bazuar në procesverbalin e hapjes se çmimit total të ofertës me poentim i kompanisë tjetër garuese “3P” SH.P.K ka qenë 230.40 euro ose 466 % më pak se e kompanisë fituese. Por, oferta e kësaj kompanie është vlerësuar e papërgjegjshme nga ministria dhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
MPJ-ja dyshoi në çmimin e biznesmenëve Fiton e Vijon Peja
Në garë për këtë tender dhe që kishte bërë edhe ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit ishte edhe firma ” 3P ” SH.P.K., pronë e vëllezërve Fiton e Vijon Peja.
“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e OE “3 P Sh.P.K.” me nr. 2024/264 ,e datës 25.03.2024, ndërsa vendimi i AK, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Shërbimet postare Diplomatike-Ri tender” me nr. të prokurimit: “216-23-13152-2-1-1” iniciuar nga autoriteti kontraktues “Ministriae Punëve të Jashtme, mbetet në fuqi”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Vet kompania në fjalë ishte nisur nga pretendimi që është më e lirë, dhe atë me përqindje deri në 466 %, por pikërisht kjo ishte edhe arsyeja që e bëri MPJ-në të dyshonte në biznemsenët Peja.
“Autoritetet kontraktuese do të kërkojnë nga operatorët ekonomik për të shpjeguar çmimin e ofruar për tenderët e përgjegjshëm, kur të përmbushen të gjitha kushtet e mëposhtme: i. çmimi i ofruar është më shumë se 30% më i ulët se çmimi mesatar i tenderëve të përgjegjshëm”, thuhet në Ligjin e Prokurimit.
Këtë e kishte bërë edhe MPJ-ja.
“MPJD përmes letrës standarde për informata jo normalisht te ulëta ka kërkuar tek operatori ekonomik ankues sqarim ne lidhje me tenderët jo normalisht te ulët , mirëpo OE ankues nuk ka kthyer përgjigje ne lidhje me ketë pikë me arsyetimin se kemi te bëjmë me gabim teknik”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Derisa “3P” Sh.P.K nuk iu ktheu përgjigje në MPJ se pse e ka këtë çmim kaq të ulët, OShP-ja e ka marrë si veprim të drejtë të kësaj ministrie që ta eliminonte nga gara.
“Pavarësisht, kësaj se a është plotësuar kushti për të kërkuar sqarime shtesë apo jo, çdo herë kur AK kërkon sqarime shtesë OE pjesëmarrës janë të obliguar të ju përgjigjen kërkesave të AK, në rast se nuk përgjigjet kërkesës së AK dhe brenda afatit të caktuar, atëherë, dispozitat ligjore e diskualifkojnë nga pjesëmarrja OE që nuk përgjigjet”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Firma “3P” Sh.P.K është përfaqësuese e firmës ndërkombëtare DHL.