Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”.
Ministria e Punëve të Jashtme, i konsideron këto deklarata nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin.
MPJ vlerëson se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orekstronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve, raporton Insajderi.
“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Dacic janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka thënë sot se “Serbia ka informacion se diaspora shqiptare ka në plan marrjen me dhunë të ndonjë prej misioneve diplomatike dhe konsullore të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Evropë”.
Daçiq “zbulon” planin kidnapues të diasporës shqiptare për lirimin e Haradinajt
Sipas Daçiq, ky plan i diasporës shqiptare është bërë me qëllim që Serbia të heqë dorë nga kërkesa për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
“Ne kemi informacione të sigurta se diaspora shqiptare ka planifikuar të marrë me dhunë ndonjë nga misionet diplomatike të Serbisë në SHBA dhe Evropë”, ka thënë Daçiq përmes një njoftimi të lëshuar për medie.
Daçiq tha se me këto të dhëna të inteligjencës janë njoftuar policitë dhe shërbimet e sigurisë së këtyre vendeve dhe të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore të Serbisë. /Insajderi.com