Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, po synon cenimin e pavarësisë së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo ministri përmes një memorandumi bashkëpunimi po tenton që t’i kalojë kompetenca vetes për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve për shtetasit e Kosovës jashtë vendit.
Krejt kjo tendencë e pushtetit duket se është iniciuar për t’i ikur në njëfarë mënyre vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me kufizimin e numrit maksimal dhe për t’i “ripërpiluar” qendrat e votimit, raporton Gazeta Insajderi.
Në një draft-memorandum bashkëpunimi të cilën e ka siguruar Insajderi, është shqyrtuar nga Divizioni i Shërbimit të Votuesve (DSHV) në kuadër të KQZ’së.
Në pikën 1.4, përmes memorandumit të bashkëpunimit MPJD synon të marrë edhe kompetenca që s’i takojnë as KQZ’së. Më saktësisht, kjo pikë parasheh që ministria e udhëhequr nga Gërvalla “të sigurojë hapësira të përshtatshme për zhvillimin e procesit zgjedhor, në përputhje me të drejtën e aplikueshme ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor”.
Në komentin e DSHV’së, thuhet se “ky është një kufizim injorant dhe i patolerueshëm i rolit të MPJD në sigurimin e hapësirave për votim. Detyrë e KQZ është të vlerësojë përshtatshmërinë e tyre teknike, por jo edhe sigurimin e hapësirave, ashtu sikurse nuk është edhe në Kosovë”.
Pos tjerash, ministria e Gërvallës përmes këtij draft-memorandumi të bashkëpunimit kërkon që t’i ketë në “llupë” operatorët ekonomikë të angazhuar lidhur me procesin e votimit jashtë vendit.
Në kompetencat e KQZ’së, thuhet se institucioni i pavarur duhet “të sigurojë, në përputhje me procedurat e saj, operatorët ekonomik për shërbime të caktuara. Për të gjithë operatorët ekonomik të kontraktuar nga KQZ, lidhur me votimin jashtë vendit, KQZ duhet ta njoftojë me shkrim MPJD-në, duke i përcjellur kësaj të fundit detajet e plota mbi operatorin e caktuar ekonomik“, thuhet pos tjerash në këtë draft-memorandum bashkëpunimi.
Më 28 gusht të këtij viti, KQZ’ja në mbledhjen e rregullt kishte miratuar Listen e Qendrave te Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe numrit maksimal të votuesve. Me këtë, s’ishte pajtuar Vetëvendosja, e cila kishte vendosur ta atakojë vendimin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Gjithsej, ishin përcaktuar 23 shtete me 47 qendra votimi nëpër shtetet e jashtme.
Lëvizja Vetëvendosje në ankesën e tyre kishte kërkuar që KQZ’ja të rivlerësojë hapësirat për caktimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës dhe të heq kufizimin e numrit të votuesve. Kjo, sipas VV’së, kufizon të drejtën e lirë të votës.
“Parashtruesit e ankesave kanë theksuar se nisur nga këto fakte konkrete, shihet qartë se nxjerrja e vendimit nga KQZ nuk është bërë në bashkëpunim me MPJ ashtu siç kërkon neni 96 par.8 i LZP-së, andaj, vendimi i KQZ është arbitrarë, i kundërligjshëm, i pa arsyetuar dhe diskriminues në raport me votuesit jashtë Kosovës, pasi që e drejta e votës është e drejtë e garantuar me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe se askush nuk ka të drejtë të kufizojë këtë të drejtë, përveç kur kjo kufizohet me vendim gjyqësor”, thuhet më saktësisht në aktvendimin që përshkruan historikun e ankesave.
PZAP’ja në shtator të këtij viti kishte refuzuar kërkesën e VV’së, duke i dhënë të drejtë KQZ’së. Komisioni i pavarur për çështje të zgjedhjeve thotë se ekziston një rregullore që bën vlerësimin e kapaciteteve për votim, kurse kujton se s’e kufizon të drejtën e votimit meqë ekzistojnë mënyra të tjera përveç votimit fizik.
“KQZ përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuar si qendër votimi, kurse, par.8 i Rregullores, e ka paraparë mundësinë e plotësimit të numrit të caktuar dhe si duhet të veprohet pasi të arrihet numri maksimal i votuesve në përfaqësi diplomatike. Në këtë rast, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat tjera të votimit”, thuhet në arsyetimin e KQZ’së.
VV’së s’i kishte pëlqyer vendimi i PZAP’së, duke kërkuar shqyrtim edhe nga Gjykata Supreme. Supremja i kishte dhënë të drejtë PZAP’së.
VENDIMI I GJYKATËS SUPREME:
Gazeta Insajderi nga burime të mirëinformuara merr vesh se Vetëvendosja i është zotuar zyrtarëve të një selie të këtij subjekti politik në Itali se hapësirën që po shfrytëzohet për aktivitete politike me qira do ta kthejë në qendër votimi.
Fotografia nga kjo seli:
Sot KQZ’ja do të mbajë mbledhje nga ora 14:00.
Në rend të ditës është shqyrtimi i kërkesës së MPJD’së për miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet e 9 shkurtit. /Insajderi.org/