
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar arrestimin e Hazir Hazirit nga ana e autoriteteve serbe.
Në një konfirmim zyrtar, MPJD-ja deklaroi se Haziri u arrestua dje në Merdar, gjatë hyrjes së tij në territorin serb, shkruan Insajderi.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e z. Haziri”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Ministria paralajmëron se nëse ndaj Hazirit vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjë kërkesën për vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.
Nga ky institucion bëhet me dije se lidhur me rastin është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it.