Arbnor Spahiu, ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Kosovës, është liruar nga burgu dje pasi ishte burgosur nga autoritetet serbe.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila është njoftuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.
MPJD ka bërë të ditur se nga dita e parë e arrestimit, rasti i Spahiut është ndjekur nga afër nga institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe kanë kërkuar respektimin e të drejtave të tij themelore dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Sipas MPJD-së, akuzat e ngritura nga autoritetet serbe ndaj Spahiut kanë qenë të pabazuara dhe të motivuara politikisht, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka përbërë shkelje të së drejtës për proces të rregullt.
“Lirimi i z. Spahiu konfirmon se pretendimet e Serbisë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë duhet të marrë fund”, thuhet në njoftimin e ministrisë.