Muhamet Mramori, babai i dy fëmijëve që humbën jetën tetë muaj më parë në një gropë të hapur në Prishtinë, është në kërkim të banimit të ri që ai pretendon se ia ka premtuar Komuna e Prishtinës. Komuna thotë se ndau vetëm 1100 euro për zhvendosjen e familjes Mramori për 6 muaj në një banim të ri.
Pas deklaratës së Muhamet Mramorit ku thoshte se “Shpend Ahmeti më ka premtuar ndihmesë, por tani nuk po takohet me mua”, ka reaguar Komuna e Prishtinës, e cila ka thënë se do t[i sigurojë qëndrim në një banesë, familjes Mramori, por vetëm për gjashtë muaj.
Muhamet Mramori kishte bërë kërkesë për sigurimin e një banese nga Komuna e Prishtinës, disa javë pasi humbi dy fëmijët e tij.
Ai ka deklaruar sot në një intervistë me Telegrafin se gjatë ceremonisë së varrimit dhe të pamës, zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe të Lëvizjes “Vetëvendosje” nuk iu ndanë derës së tij.
Por, Muhamet Mramori thotë se gjatë ditëve të fundit “ata nuk po bëhen të gjallë”. Thotë se kryetari Komunës, Shpend Ahmeti, kishte premtuar se do t’i vendosnin diku tjetër me banim, që të mos jetë pranë vendit ku u mbytën fëmijët e tyre.
“Më kanë thënë që të mos lodhem me asgjë, se ata i rregullojnë të gjitha. Ma kanë premtuar edhe një vend pune. Bile, çdo dy muaj më thirrshin për punë, po kur shkoja thoshin se ‘jo s’po bëhet’”, tha Mramori.
Babai i dy fëmijëve që humbën jetën në tragjedinë e Kolovicës, ka shpjeguar gjendjen e vështirë në të cilën po kalon familja e tij.
“Tetë herë kam trokitur në dyert e Komunës së Prishtinës për t’u takuar me kryetarin, Shpend Ahmeti. Por, takimi nuk ka ndodhur. Kemi nevojë për mjek, sepse vajza që na mbeti është me trauma. Ajo ishte aty kur mbyten vëllai e motra e saj. Gjithë familja kemi nevojë për mjek, për idare. Gruaja nuk punon, e unë punoj veç kur më thërrasin si taksist. E vetmja ndihmë që marrë është një social prej 80 eurove. Nuk e di pse Shpendi s’më pranon në zyrë”.
Ndërkaq, këto deklarime të Mramorit i ka hedhur poshtë Komuna e Prishtinës, e cila ka thënë se Komuna përveç se ia ka hequr shpenzimet për ceremoninë e varrimit, i ka ndarë familjes në fjalë edhe 1100 euro të holla, për tu zhvendosur për 6 muaj në një banim të ri.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, në njkë prononcim për Insajderin ka thënë se Komuna ka bërë çmos që t’i qëndrojë afër dhe t’i ndihmojë financiarisht familjes Mramori.
“Në përkujdesjen e Kryetarit Ahmeti, familjes Mramori i janë hequr shpenzimet e varrimit dhe ceremonive përcjellëse, i janë ndarë 1100 euro për qira për 6 muaj, sepse familja nuk mund ta përballonte dhimbjen duke qëndruar në të njejtën shtëpi, e po ashtu u janë caktuar një psikolog dhe një punëtor social. Kryetari do ta takojë edhe njëherë përfaqësuesin e familjes, mirëpo këto janë mundësitë maksimale të Komunës”, ka thënë Tahiri.
“Komuna e Prishtinës i ka qëndruar pranë familjes Mramori që nga momenti i tragjedisë, që t’ia lehtësojë sado pak dhembjen dhe t’i ndihmojë financiarisht në përballimin e shpenzimeve”, u shpreh ai.
Më 23 qershor të vitit 2016 humbën jetën dy fëmijë të familjes Mramori, Florenta 13 vjeçe dhe Florenti 11-vjeçar. /Insajderi.com