Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, pret që buxheti për vitin 2025 të jetë 3.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020, Muja ka thënë për se ka dyfishim të të hyrave buxhetore.
“Ministri i Financave është në proces të konsultimeve pas përpilimit të tavaneve buxhetore, pres që deri me datën 30 tetor Ministria e Financave ta sjellë në Komisionin për Buxhet në Kuvend një projektligj për projektin të buxhet. Dinamikat që unë i parashikoj është fillimisht duhet të shihen të hyrat nga po vijnë dhe e dyta ku po orientohen shpenzimet struktura e shpenzimeve. Ajo që unë parashoh tek të hyrat është që të hyrat duhet për vitin 2025 duhet të jenë në bazë të dinamikave dikur rreth 3.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020 është pothuajse dyfishimi i të hyrave dhe këtë duhet të keni parasysh. Sa do që të kenë debat të madh në shoqëri këtë e konsiderojë një arritje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, paga mesatare në Kosovë këtë vit është 780 euro.
“Koeficienti i pagave, kur kemi ardhur ne paga mesatare në sektorin publik ka qenë kur jemi ardhur, mandati ka qenë 580, kurse në këtë vit paga mesatare është 780 euro. Një rritje mbi 30 për qind krahasuar me vitin 2019. Pres që në vitin 2025 të ketë një reflektim të bazuar në trendin e rritjes ekonomike të vitit paraprak. Duhet të jetë domosdoshmërish 4-5 për qind reflektim në bazë të ligjit. Pres që paga mesatare në sektorin publik ta mbërrijë një nivel i cili është shumë më i mirë sesa që ka qenë. Ne kur kemi ardhur në pushtet kemi marrë me 83 mijë punëtorë, diku tash janë 81 mijë punëtor që i bie rreth dy mijë pozita më pak”, ka deklaruar Muja.