Faruk Mujka – Kryeshef i ndërmarrjes “Ibër – Lepenc” ka deklaruar se sulmi i së premtës së 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varragë të Zubin-Potokut është sulmi terrorist më i madhi që i është bërë Kosovës që nga periudha e pasluftës.
Kështu është shprehur ai në RTV Dukagjini ku po diskutohet për sulmin në veri, më saktësisht sulmi që ka goditur në pikat kritike të vendit.
“Sulmi më i madh i pasluftës ka qenë i të premtës, në infrastrukturën e kanalit të Ibër-Lepencit, i cili e mbart ujin nga diga e dytë Privorica që bëhet ndarja e ujit prej lumit Ibër në kanalin e Ibër-Lepencit. Ky kanal e ka destinacion KEK-un dhe ftohjen e turbinave të saj. Ky kanal është 49 km. Është kanal i kombinuar, ku 22-23 km është I hapur dhe të tjera I mbyllur. Kemi 21 abadukte, kanale ure por që janë problematike e që janë mbi 4-5 metra mbi nivelin e tokës. Roli kryesor është furnizimi I KEK-ut, Feronikelit dhe furnizimi i kompanive regjionale të ujit, Mitrovica, Vushtri dhe Prishtinën. Ku furnizohen mbi700 mijë banor e që I përfshin 1/3 e Prishtinës, Mitrovicën, Drenasin, Zveçanin, Obiliqin, Fushë Kosovën”, tha Mujka.
Mujka tha se “pa ujë do të mbetej Zveçani, Komuna Veriore e Mitrovicës, pasi që Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë burime tjera të furnizimit”.
Ai shtoi se “kanali është punuar në vitet e 1970-ta dhe funksionon me rënie të lirë” dhe prek pjesë që nuk janë lehtë të qasshme dhe të kontrollueshme”.
“Një gjatësi prej 49km është vështirë e menaxhueshme”, shtoi Mujka.