Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besim Mulaj, ka thënë se manipulimi me votat e diasporës nga ana e ambasadorit, Martin Berishja është një shenjë paniku nga humbja e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme
Mulaj tha se Berishaj, i cili është përfolur edhe për afera të dyshimta financiare, po tenton të sigurojë mbështetje përmes skemave të dyshimta për të ruajtur pushtetin.
Ai e cilësoi këtë veprim si një shkelje të rëndë ligjore dhe një fyerje për qytetarët e diasporës, të cilët, sipas tij, nuk duhet të shfrytëzohen për interesa politike.
“Tendenca për të manipuluar me votat e diasporës nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk është asgjë tjetër veçse shenjë paniku nga humbja e madhe që e pret Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në ikje, Albin Kurti. Kur vota nuk mund të fitohet me mbështetje të sinqertë, atëherë provohet të sigurohet përmes skemave të dyshimta, por gjithçka ka një kufi”, shkroi ai në Facebook.
Mulaj shtoi se ky akt është një shenjë e panikut të madh të atyre që e shohin humbjen e pashmangshme në horizont.
“Paniku është i qartë. Zgjedhjet e ardhshme nuk janë më një garë për fitore, por një betejë për mbijetesë politike për ata që menduan se do të sundojnë përjetësisht. Sa më shumë të afrohet momenti i verdiktit nga qytetarët, aq më shumë do të shohim skandale të tilla, që në vend se të ndalin humbjen, vetëm sa e përshpejtojnë atë”.
Ai apeloi për ndryshim dhe ftoi qytetarët të mbështesin Lidhjen Demokratike të Kosovës me numër 124 dhe kandidaturën e tij me numër 79, për një të ardhme më të mirë për vendin.
“Prandaj, është koha për ndryshim të vërtetë! Votoni Lidhjen Demokratike të Kosovës me numër 124 dhe më mbështesni mua me numër 79. Vota juaj është zëri për një të ardhme më të mirë!”.
Theksojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.
Prokuroria tha se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi.”