Ka disa ditë që biznesmeni multimilioner, Abedin Salihu, është në kërkim nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet se është i përfshirë në skandalin “Brezovica”. Kompania që është pronë e tij, Dino Company është e përfshirë edhe në një skandal tjetër. Në skandalin e ndërtimit të palestrës sportive në Zhegër të Gjilanit. Gazeta Insajderi, sjell detaje të këtij rasti
Pronari i “Dino Company”, multimilioneri nga Lipjani, Abedin Salihu që nga java e kaluar është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës, i dyshuar për përfshirje në skandalin e shkatërrimit të Brezovicës.
Policia e Kosovës edhe pse e ka bastisur shtëpinë e tij në Lipjan nuk ka arritur ta kap Salihun.
Kompania “Dino” është e përfshirë edhe në një skandal tjetër. Atë të palestrës së Zhegrës në Gjilan. Gazeta Insajderi, sjell detaje nga ky skandal.
Në vitin 2018, Komuna e Gjilanit kishte zgjedhur konsorciumin e kompanive “Visioni projekt” dhe ” Dino”, fituese të tenderit për ndërtimin e Palestrës së Sporteve në fshatin Zhegër.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate kapte vlerën e 95.965,42 eurove, shkruan Gazeta Insajderi.
Kompanitë ishin të obliguara që punimet t`i kryhenin sipas kontratës sipas planinit dinamik prej 25 ditëve.
Por, punimet nuk ishin kryer sipas kontratës.
Kompania mbikqyrëse e këtyre punimve, “Arch Design” ua kishte pranuar konsorciumit punimet që e kapin vlerën rreth 66 mijë euro.
Në janar të këtij viti, është arrestuar pronari i kompanisë “Arch Design”, Mentor Ibishi, shkruan Gazeta Insajderi.
Ibishi sipas prokurorisë dyshohej se gjatë afro tre viteve ka pranuar si pozicione të kryera punë të pakryera që kapin vlerën rreth 66 mijë euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit.
Me këto veprime Ibishi, sipas prokurorisë i ka siguruar përfitim material kompanive fituese të tenderit për ndërtimin e palestrës sportive.
“Dyshohet se, i njëjti, në cilësi të mbikëqyrësit të punimeve të palestrës së sporteve në fshatin Zhegër, që nga data 12 Korrik 2017 deri më 03 Dhjetor 2020, ka pranuar si pozicione të kryera, punë të pa kryera në vlerë rreth 66.000 (gjashtëdhjetegjashtë mijë) euro, duke e dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit, ndërsa kompanisë ‘’Vision Project/Dino-SHPK’’, i ka siguruar përfitim material në shumën e lartcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ibishi si pronar i kompanie mbikqyrëse i kontraktuar nga Komuna e Gjilanit, me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kush është multimilioneri që po i ik shtetit?
Në aksioni “Brezovica 3”, javën e kaluar u vunë nën pranga të Policisë së Kosovës, tetë persona për shkatërrim dhe degradim të Parkut Kombëtar të Sharrit.
Ne mesin e këtyre personave kishte zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe biznesmen të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për dhënie të ryshfetit.
Pronari i kompanisë ndërtimore “Dino” Sh.P.K. dhe hotelit “Brezovica Hotel Spa”, merr vesh Gazeta Insajderi se është i dyshuar për përfshirje në aferën “Brezovica” por që është arratisur.
Abedin Salihu, i dyshuar për në aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, është udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve, shkruan Gazeta Insajderi.
Salihu, po ashtu është pronar i njërit prej hoteleve më të famshme të Brezovicës. “Brezovica Hotel Spa”, është biznesi që mban pronësi Salihu.
Kompania e tij kryesore është “Dino” Sh.p.k. një biznes në fushën e ndërtimit që merret krysisht me ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “Dino” Sh.P.K. figuron të ketë një kapital prej rreth 150 mijë euro.
Në pronësi të Salihut figuron edhe kompania tjetër që merret me ndërtimtari “BELLIS IMMO SH.P.K.”.
Salihu përveç bizneseve, ka bërë investime edhe në botën e sportit. Ai është president dhe donatori kryesor i klubit të futbollit “FC Ulpiana”. /Gazeta Insajderi
LEXO MË SHUMË PËR ABEDIN SALIHUN