Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë të sigurisë ndaj vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për mbylljen e kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.
Vendimi nga gjykata kompetente është marrë më 20 tetor, pas padisë që Naser Maloku, aksionari i vetëm i “Kosova e Re”, i ka bërë Bankës Qendrore në Prishtinë.
“Aprovohet si i bazuar propozimi i paditësit/propozuesit Shoqëria “Fitoja” Sh.p.k e përfaqësuar nga Naser Maloku në kapacitetin e Menaxherit dhe Aksionarit të vetëm të Kompanisë së Sigurimeve K.S “Kosova e Re” SH.A.”, thuhet në vendimin e Themelores së Prishtinës të siguruar nga Gazeta Insajderi.
Derisa e njëjta gjykatë konfirmon se “shtyhet ekzekutimi i vendimit të të paditurës kundër-propozueses Bankës Qendrore… me numër 70-24/2021 i datës 24.09.2021, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë paditësit-propozuesit”.
Vendosjen e masës së sigurisë ndaj BQK-së, e ka konfirmuar edhe avokati i kompanisë së sigurimeve, Ekrem Hoxha.
“Vendimi është marrë javën e kaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë”, ka thënë Hoxha për Gazetën Insajderi.
Më 24 gusht të këtij viti Banka Qendrore e Kosovës ia ka revokuar licencën kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. pasi ndër vite kjo ndërmarrje ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se bordi ekzekutiv i BQK-së, ka marrë vendim që siguruesit “Kosova e Re”, t’i revokohet licenca, pasi që ndër vite kjo kompani ka pasur vështirësi në financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore në fuqi.
“Siguruesi “Kosova e Re”, ndër vite ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, aftësisë paguesve – solvencës dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike. Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, BQK përkatësisht bordi ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes financiare të siguruesit “Kosova e Re”, tha atë ditë Guvernatori i BQK-së.
“Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, bordi dhe menaxhmenti i siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë. Në të njëjtën kohë, aksionari i siguruesit “Kosova e Re”, nuk iu është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi”, tha Mehmeti, shkruan Gazeta Insajderi.
Guvernatori i BQK-së shpjegoi se me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve, BQK ka marrë vendim për revokimin e licencës.
“Mungesa e gatishmërisë së aksionarit për t’i plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Siguruesit për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga ligji për BQK-në dhe ligji për sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës këtij siguruesi”, theksoi Mehmeti, shkruan Gazeta Insajderi.
Banka Qendrore e Kosovës gjatë viteve ka revokuar edhe licenca të tjera të kompanive të sigurimeve, por të njëjtat nuk e kanë paditur institucionin që rregullon fushën e sigurimeve në Kosovë./Gazeta Insajderi/